Kërcënimi në rritje nga Rusia, shtyn Shtetet e Bashkuara të planifikojnë stacionimin e armëve bërthamore në Britaninë e Madhe. Mbi bazë të një propozimi të detajuar nga ‘The Telegraph’, armatimet do të vendosen në bazën ushtarake RAF Lakenheath në Sufolk.
Dokumente të Pentagonit sipas medias britanike, zbulojnë kontratën për një strukturë të re dhe qëllime të Shteteve të Bashkuara për të pozicionuar atje testata nukleare, 3 herë më të fuqishme se bombat e Hiroshimës.
“Dokumentet e paredaktuara të Departamentit të Mbrojtjes në SHBA, zbulojnë planet për një “mision bërthamor” që do të realizohet së shpejti në RAF Lakenheath”, shkruhet në artikullin e The Telegraph.
Armët bërthamore të cilat mund të stacionohen në bazë raportohet të jenë bomba të gravitetit B61-12, të cilat mund të lëshohen nga avionë lufte.
Sipas Telegraph, kjo është pjesë e një programi të NATO-s për të zhvilluar apo përmirësuar zonat e armatimeve bërthamore në vazhdën e agresionit rus.
Në një reagim lidhur me raportimin, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Britaninë e Madhe tha se politika e kahershme e NATO-s dhe Britanisë, i pengon të konfirmojnë apo të mohojnë praninë e armatimeve bërthamore në zona të caktuara.
SHBA hoqi raketat bërthamore nga Britania e Madhe në vitin 2008, duke gjykuar se kërcënimi i Luftës së Ftohtë nga Moska ishte zvogëluar. Por tani gjithçka ka ndryshuar.