Nuk ishte aspak e lehtë për ata që e njohën, t’i thonin lamtumirë Lorenës, gjimnazistes nga Kavaja që u nda nga jeta pas një ataku kardiak, kur kishte nisur të ëndërronte dhe të ndërtonte jetën e saj, larg dhembjes, periferisë dhe më pranë ndriçimit vezullues të qendrës së qytetit, dashurisë dhe pasarelave.
Ataku kardiak i mori jetën ndërsa po i gëzohej fejesës që kishte kurorëzuar së fundmi me djalin që donte, si dhe titullit “Top Model” të marrë në spektaklin e bukurisë “Miss & Mr. Kavaja” fundvitin e kaluar.
Nuk e kishte mbyllur ende plagën që i kishte hapur vdekja e parakohshme e motrës më të vogël dhe as çrregullimin kardiak që i rrinte mbi kokë si shpata e Damokleut, por jeta po i buzëqeshte. Deri mëngjesin fatal të 25 janarit kur zemra e saj pësoi goditjen fatale, duke hapur një plagë të re në familjen Bërdufi.
Petriti, Fiona, Ajla dhe Kornela nuk mund ta besojnë ende që ajo nuk është më, ndërsa i shkojnë për ngushëllim familjes së saj së bashku me Myzejen Kondurin, producenten e spektaklit të bukurisë i cili i dha jetë ëndrrës së Lorenës. Besonte se do t’ia dilte mbanë, për veten, por mbi të gjitha për familjen e saj.
Pas vdekjes së të motrës, Lorena kishte nisur të ndërtonte ëndrra, shpresa për ta ndryshuar fatin e saj. Për shkak të kontrolleve dhe trajtimeve mjekësore në Hollandë e kishte humbur një vit shkollën, por i ishte kthyer sërish dhe këtë vit ishte maturante në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” të Kavajës.
Pas mësimit punonte në një market për të ndihmuar familjen. Përpiqej të ndiqte dhe këshillat e mjekëve. Nuk duhej t’i nënshtrohej emocioneve të forta, por jeta është e mbushur me to.
Pavarësisht kushteve ekonomike, prindërit kishin bërë të pamundurën për të trajtuar vajzat e tyre duke i dërguar edhe jashtë vendit për t’u konsultuar me mjekë, por vdekja erdhi e ftohtë duke e goditur 2 herë në më pak se tre vjet familjen dhe lënë pas pikëllim.
Ëndrrat e saj u prenë në mes papritur, duke lënë pas një histori të trishtë. Historinë e Lorenës që ngeci në kufijtë mes fëmijërisë së kaluar në ish-ambientet e fabrikës së letrës në Kavajë të përshtatur në banesë dhe fillimit të një jete të re, mes dritash e dëshirës për të shkëlqyer mbi pasarela me elegancën e saj.
Ngeci mes ëndrrash për të na kujtuar të gjithëve se jeta është e bukur, po aq sa e trishtë, është e shkurtër dhe në një marrje fryme mund të mos jetë më./TCH