Ermonela Jaho merr çmimin e madh në “The Oper! Awards 2024” në Gjermani, për interpretimin e saj të jashtëzakonshëm.
“Është e ditur tashmë se një karrierë në opera kërkon më shumë se sa një zë të bukur. Gjithashtu është e rrallë që një artist të shpërfaqë brendinë e tij tek publiku përmes këndimit dhe aktrimit njëkohësisht.
Në Zyrih, në 2023, “La rondine” e Puçinit u kthye në një natë prekëse e emocionuese me një thellësi të pamatë, falë Ermonela Jahos që ishte një Magda brilante: dallëndyshe që këndon fort dhe mjellmë në agoni njëkohësisht”, ishte motivacioni i çmimit të dhënë një natë më parë.
Vetë sopranoja shqiptare, përmes një postimi në rrjetet sociale është shprehur se ashtu si edhe çmimi që i është dhënë në Spanjë, ashtu edhe çmimi gjerman, ishin befasi.
“Do të mundohesha të shprehja me fjalë mirënjohjen dhe atë çfarë kjo arritje do të thotë për mua, por do të ishte e pamundur. Ndihem krenare edhe për renditjen mes të kandiduarve, le më pastaj për fitoren si “Këngëtarja më e mirë për 2024”. Faleminderit Oper!Awards për këtë nder të madh!”, ka shkruar Ermonela Jaho.
Ditë më parë, Ermonela fitoi edhe çmimin “Artistja e huaj më e mirë” për vitin 2023, për interpretimin e “Suor Angelica” në Barcelonë.