Aktualitet Balluku e Muzhaqi vizitojnë sallën e re të leximit në bibliotekën e...

Balluku e Muzhaqi vizitojnë sallën e re të leximit në bibliotekën e Dibrës: Një vlerë për qytetin e mirëmbajtur prej vitesh 

Dibra ka tashmë një bibliotekë dinjitoze, me kushte e ambiente moderne. Përmes një ndërhyrjeje rehabilituese bibliotekës i është shtuar salla e leximit, një mjedis i ri e komod për të gjithë miqtë e librit.

Më shumë se 74 mijë libra janë pjesë e kësaj biblioteke e cila numëron mbi 5 mijë anëtarë të regjistruar, dhe ku bëhet një punë me shumë përkushtim e kujdes nga ana e punonjëseve të kësaj biblioteke për ruajtjen e çdo libri.

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, së bashku me Ministren e Shtetit, Bora Muzhaqi, vizituan ambientet e reja të bibliotekës e cila për Dibrën dhe qytetarët e saj është një vlerë e shtuar për qytetin.

“Një projekt që për Dibrën ka shumë vlerë. Dibranët e vlerësojnë pa masë dhe e vizitojnë. Këtu ka gjithë kohën vizitorë, ka njerëz të regjistruar. Pasuria që ka në libra bashkia e Dibrës është e jashtëzakonshme dhe zonjat që punojnë këtu i kanë ruajtur me aq kujdes, që unë besoj është një shembull për tu marrë për të gjithë qytetet e tjera”, tha Balluku duke shtuar më tej se bibliotekën dibranët e kanë një trashëgimi, por i mungonte salle e leximit e cila tashmë është bërë realitet.

Rehabilitimi i bibliotekës dhe ndërtimi i sallës së leximit u bë i mundur pas aplikimit të Bashkisë Dibrës pranë Agjencisë Kombëtare të Rinisë, si një kërkesë dhe nevojë e të rinjve dibranë.

“Kërkesa për bibliotekën erdhi nga të rinjtë e Këshillit Vendor Rinor të cilët thanë qytetit tonë i mungon një bibliotekë dhe pastaj bashkë me të rinjtë e tjerë menduan që të bënin pak lobim tek kryetari edhe ti thonin që duhet patjetër të na e realizosh. Kryetari e mori kërkesën dhe këshillën e të rinjve dhe sigurisht bëri aplikimin tek. Unë jam shumë e gëzuar që e shoh bibliotekën dhe vërtet paska dalë diçka që i ka shtuar vlerën qytetit, por edhe të rinjve”, u shpreh ministrja Muzhaqi.

Biblioteka funksionin në tre kate dhe janë të shumtë qytetarët të cilët e frekuentojnë në mënyrë periodike atë.