Drejtoresha e Galleria dell’Accademia, Cecilie Hollberg, shkaktoi debate edhe në politikë, duke përfshirë kritika nga ministrja e Kulturës e Italisë, pasi ajo e quajti Firencen një “vend prostitutash”, për shkak të turizmit masiv. Duke shprehur shqetësimin për transformimin e qytetit, Hollberg tha se qyteti tashmë është shndërruar në prostitutë.
“Sapo një qytet bëhet prostitutë, është e vështirë për të që të bëhet sërish i virgjër”, tha ajo.
Hollberg, e njohur për mbikëqyrjen e statujës së Davidit të Mikelanxhelos, theksoi dëshirën e saj që Firence të rimarrë bukurinë për qytetarët e saj. Ajo ka dënuar edhe dyqanet e shumta për turizmin në Firenze. Megjithatë, ajo pranoi se situata mund të jetë e pakthyeshme, pa pasur një kufi për numrin e turistëve.
Pas polemikave, Galleria dell’Accademia lëshoi një deklaratë ku Hollberg kërkoi falje për fjalët e saj, duke sqaruar qëllimin e saj, për të mbrojtur një turizëm të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm. Pavarësisht faljes së Hollberg, Ministri i Kulturës i Italisë, Gennaro Sangiuliano tha se do të shqyrtojë fjalët e saj.
Kritikët, duke përfshirë nënkryetaren e bashkisë së Firences Alessia Bettini dhe ish-kryeministrin Matteo Renzi, vunë në dyshim analogjinë, me Bettinin që pyeti me ironi, nëse fiorentinët ishin fëmijët e një prostitute dhe turistët, klientët e një prostitute. Renzi bëri thirrje për falje ose dorëheqje nga Hollberg.
Ky incident është pjesë e një shqetësimi më të madh brenda Italisë në lidhje me turizmin e pakontrolluar, veçanërisht në qytete si Firence dhe Venecia. Qeveria nacionaliste, e akuzuar për favorizimin e italianëve në rolet kulturore, përballet me shqyrtime, pasi zyrtarët e kulturës shprehin shqetësime për ndikimin e madh të turistëve, në vendet e trashëgimisë kulturore. Venecia, në përgjigje të një paralajmërimi të UNESCO-s, planifikon të zbatojë një skemë biletash në prill, për të menaxhuar numrin e turistëve.