Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan dhe bashkëshortja e tij, Bushra Khan, janë dënuar secili me nga 14 vjet burg lidhur me shitjen e paligjshme të dhuratave shtetërore.
Khan akuzohet për shitjen ose mbajtjen e dhuratave me vlerë më shumë se 501,000 dollarë në posedim të shtetit dhe të marra gjatë mandatit të tij si kryeministër gjatë viteve 2018-2022. Dhurata të tilla përfshinin një set bizhuterish nga Princi i Kurorës së Arabisë Saudite.
Megjithatë, ai është shprehur se i ka blerë ato në mënyrë të ligjshme. E njohur si Bushra Bibi, ajo është gruaja e tretë e ish-kryeministrit. Dihet pak për jetën e saj personale, dhe ajo zakonisht shihet në publik e veshur me veshjen mysliame fetare.
Dënimi nga një gjykatë kundër korrupsionit në Islamabad vjen një ditë pasi Imran Khan u dënua me 10 vjet burg në një rast tjetër në të cilin ai u dënua për zbulimin e sekreteve shtetërore.