Ish-drejtori i Zyrës së Kadastrës Kurbin, 52-vjeçari Kastrot Piroli është ekstraduar nga Franca në Shqipëri. Piroli ishte dënuar me 5 vjet burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, është bërë i mundur ekstradimi i ish-policit 42-vjeçar me iniciale I.J. nga Franca drejt vendit tonë.
Për ish-policin, Gjykata e Vlorës kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” më datë 13 drejtor 2020 për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”. 42-vjeçari akuzohet se gjatë kohës që ka qenë SPZ në Njësinë Administrative Horë të Bashkisë Himarë, me veprimet dhe mosveprimet e tij ka favorizuar persona të ndryshëm që të ushtronin veprimtarinë kriminale të kultivimit të narkotikëve.
Njoftimi i Policisë:
Vijon bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese në Francë, ekstradohen në Shqipëri, 2 shtetas shqiptarë që janë kapur në Francë, pas informacioneve të siguruara nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit të tyre, me Interpol Lion, nëpërmjet Interpol Tiranës.
Njëri nga këta shtetas është dënuar nga Gjykata e Kurbinit, me 5 vjet burgim, për shpërdorim detyre, ndërsa tjetri akuzohet nga Gjykata e Vlorës, për të njëjtën vepër penale.
Strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, për shkëmbimin e informacioneve, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, kanë shkëmbyer informacion me homologët francezë, për vendndodhjen e 2 shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Shkëmbimi i vazhdueshëm i informacioneve me Interpol Lion, nëpërmjet Interpol Tiranës, është finalizuar me kapjen në Francë dhe ekstradimin në Shqipëri, të këtyre 2 shtetasve, konkretisht:
-Kastriot Piroli, 52 vjeç, banues në Kurbin, ish-drejtor i Zyrës së Kadastrës Kurbin. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Lezhë kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, e cila e ka dënuar këtë shtetas, me 5 vjet burgim, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
-I. J., 42 vjeç, banues në Vlorë, ish-punonjës policie. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Vlorë ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Vlorës, me vendimin e datës 13.12.2020, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Ky shtetas akuzohet se gjatë kohës që ka qenë SPZ në njësinë administrative Horë, bashkia Himarë, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka favorizuar shtetas të ndryshëm që ushtronin veprimtarinë kriminale të kultivimit të narkotikëve.