Sondazhet e reja tregojnë se mbështetja për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu është gjithnjë e më në rënie. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Jeruzalemi, Linda Gradstein, shumica e izraelitëve të anketuar thonë se ai duhet të largohet pushteti, pasi të përfundojë lufta.
Një marrëveshje e re e mundshme për lirimin e 132 izraelitëve që po vazhdojnë të mbahen peng nga Hamasi në Gazë për gati katër muaj, me shumë gjasë do ta detyronte Izraelin t’i jepte fund luftës pa shkatërrimin e grupit militant.
Kryeministri Netanyahu flet me bindje se kjo nuk do të ndodhë.
“Ne nuk do ta përfundojmë luftën pa arritur qëllimet. Kjo nënkupton shkatërrimin e Hamasit, kthimin e të gjitha pengjeve tona dhe garancinë që Gaza të mos përbëjë kurrë më një kërcënim për Izraelin. Ne nuk do të tërheqim forcat tona nga Rripi i Gazës dhe nuk do të lirojmë mijëra terroristë. Asnjëra nga këto nuk do të ndodhë. Çfarë do të ndodhë? Fitorja e plotë”, tha zoti Netanyahu.
Ndërsa lufta vazhdon pa një fund në horizont, një numër në rritje izraelitësh po bëhen më të zëshëm në mbështetjen e tyre për familjarët e pengjeve, duke bërë trysni ndaj zotit Netanyahu që të pranojë kushtet e marrëveshjes për lirimin e pengjeve.
“Mendojmë se duhet të ketë një ndryshim ose rishikim të planit aktual, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Nëse kryeministri do ta kishte djalin në Gazë, ndoshta do ta mendonte ndryshe çmimin që do të ishte i gatshëm të paguante”, thotë izraelito-amerikani Ruby Chen, djali i së cilit mbahet peng nga Hamasi.
Nga ana tjetër, anëtarët e ekstremit të djahtë në qeverinë e kryeministrit Netanyahu thonë se do të largohen nga koalicioni dhe do ta rrëzojnë qeverinë nëse ai i jep fund luftës me Hamasin, ndërsa grupi militant vazhdon të kontrollojë Gazën.
Kryeministri Netanyahu është po ashtu nën trysninë e Presidentit amerikan Joe Biden për arritjen e një marrëveshjeje që do të krijonte një shtet palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, nën kontrollin e asaj që zyrtarët amerikanë thonë se duhet të jetë “Autoritet i rigjallëruar Palestinez”.
Analistët izraelitë thonë se kërkesat e ndryshme brenda dhe jashtë vendit janë sfiduese për zotin Netanyahu, kryeministrin më jetëgjatë të Izraelit. Shumica presin zgjedhje të reja në Izrael pas përfundimit të luftës, ose edhe më herët, nëse lufta vazhdon gjatë.
“Është e qartë se ka shumë trysni ndaj Kryeministrit Netanyahu për të caktuar një kohë për mbajtjen e zgjedhjeve. Por, siç e dimë, në Lindjen e Mesme marrëveshjet e përkohshme nuk janë të qëndrueshme, qoftë sa u përket marrëdhënieve politike, diplomatike apo strategjike”, thotë Dan Diker nga Qendra e Jeruzalemit për Marrëdhënie me Publikun.
Sondazhet e fundit tregojnë se vetëm 15 për qind e izraelitëve duan që zoti Netanyahu të mbetet kryeministër edhe pas luftës. Shumë thonë se e kanë humbur besimin tek qeveria e tij, pas dështimeve të autoriteteve të zbulimit dhe sigurisë për të penguar sulmet e Hamasit më 7 tetor.
“Shanset që Netanyahu të ketë të ardhme politike me gjithë këto dallime, janë shumë të ulëta”, thotë Amootz Asa-El nga Instituti “Shalom Hartman”.
Deri tani udhëheqësi i Izraelit ka refuzuar të marrë përgjegjësi për sulmet e 7 tetorit. Por analistët thonë se shumë izraelitë mendojnë se ai është përgjegjës dhe se është koha që të largohet nga pushteti./VOA