Sali Berisha akuzoi drejtuesin e SPAK, Altin Dumanin, se po përpiqet të mbyllë çështjen që lidhet me marrëdhënien mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-zyrtarit të FBI nën akuzë, Charles Mcgonigal.
Duke u bërë thirrje shqiptarëve që të dalin në protestën e paralajmëruar për të hënën, para Parlamentit, Berisha tha:
“Sot kryeministri i vendit është zyrtari më i damkosur në Europë sepse është kapur në flagrancë nga drejtësia e SHBA se ka korruptuar zyrtarin më të lartë të zbulimit të këtij vendi.
Gjithë njerëzit e ndershëm në SHBA, në Europë dhe kudo, presin përgjigjen tonë. Askush të mos mendojë se Dumani do të hetojë, përkundrazi Dumani është bashkautor me mbrojtjen që i bën në të gjitha krimet Edi Ramës. Të dashur miq, para dy javësh deklaroi se po heton skandalin McGonigal, e vërteta është se po bën gjithçka të mbyllë superskandalin e shekullit. Asnjë nga ata që kanë denoncuar publikisht gjobëvënësit Edi Rama-McGonigal-Duçka e Neza e kompani, nuk janë thirrur për t’u pyetur. Skapi nuk do dëshmitarë kundër Edi Ramës. Skapi nuk do dëshmitarë kundër Erion Veliajt”, tha Berisha nga dritarja e banesës së tij, ku po qëndron për shkak të një mase sigurie “arrest në shtëpi” të dhënë nga Gjykata e Posaçme.