Dhjetorin e vitit të kaluar, ekipi shkencor “Whale SETI”, zhvilloi një bisedë 20-minutëshe me një balenë. Eksperimenti i zhvilluar në bregun e Alaskës, përfshinte riprodhimin e tingujve që prodhon një balenë, e cila përpiqej të vihej në kontakt përmes një altoparlanti nënujor.
Dr.Brenda Mcowan e Universitetit të Kalifornisë, autorja kryesore e studimit, deklaroi se ky ishte “komunikimi i parë midis njerëzve dhe balenave”. Shfaqja e Inteligjencës Artificiale (AI), e ka rritur shumë pritshmërinë në lidhje me arritjen e komunikimit kompleks me speciet e tjera.
Sepse këto teknologji, i lejojnë ekspertët të analizojnë tingujt, lëvizjet dhe sjelljet e kafshëve me një shpejtësi dhe saktësi, e cila do të ishte e pamundur për njerëzit. Për shembull për studimin në fjalë, u pa se kjo teknologji ishte thelbësore për dekoduar dhe riprodhuar thirrjet e balenave.
Ekspertët përdorën pajisje të avancuara për të dëgjuar dhe analizuar regjistrimet e tingujve të kafshëve, të cilat i ndihmuan shkencëtarët të zbulonin modele dhe ndryshime në komunikimin e tyre, si dhe ndryshime në tonin e thirrjeve të tyre dhe të mënyrën se si ata prodhonin tinguj.
Kate Armstrong, drejtore e programit “Interspecies Internet”, është e bindur se në të ardhmen, ne do të jemi në gjendje të deshifrojmë dhe kuptojmë gjuhën e llojeve të ndryshme të kafshëve me një nivel të lartë saktësie.
“Në një farë kuptimi, ne po e bëjmë tashmë këtë gjë. Sfidat më e madhe në përpilimin e të dhënave për komunikimin me speciet e tjera është prania e zhurmës. Ndaj shumica e studimeve, janë kryer tek speciet që jetojnë nën ujë, ku është më e lehtë të nxirren të dhëna. Ky përparim teknologjik, sjell me vete nevojën për të menduar me kujdes se si i përdorim këto mjete. Po ashtu, duhet të marrim në konsideratë zbatimin e rregulloreve për të siguruar një përdorim etik dhe të përgjegjshëm”, thotë ajo.
Por të flasësh me një kafshë duke përdorur gjuhën e tyre, ka disa kufizime.
Për shembull, ndërveprimi i me balenën, nuk ishte një bisedë në kuptimin njerëzor. Pra nuk pati shkëmbim idesh apo kuptime komplekse. Përkundrazi, ishte një shkëmbim tingujsh që tregoi se balenat mund t’i përgjigjen në një mënyrë inteligjente dhe përshtatëse sinjaleve dëgjimore.
Studiuesit e interpretuan këtë si provë, se balenat mund të marrin pjesë në një lloj “dialogu” duke përdorur sistemin e tyre të komunikimit audio. Ndërkohë gjuhëtari Mamen Hornos pyet nëse është vërtet e mundur të përkthehet mendimi midis specieve.
Hornos argumenton se edhe nëse ndajmë disa përvoja të realitetit me kafshë të tjera, si marrëdhëniet shkak-pasojë dhe orientimi hapësinor, ne nuk e dimë nëse ato mund të kuptojnë idetë e thella njerëzore. Ai përmend aforizmin e famshëm të filozofit Ludwig Wittgenstein: ”Kufijtë e gjuhës sime janë kufijtë e botës sime”.
Kjo ide sugjeron se mënyra jonë për të parë dhe kuptuar botën, është e lidhur ngushtë me gjuhën tonë. Kur bëhet fjalë për komunikimin njeri-kafshë, çdo specie mund të kufizohet nga perceptimi i vet gjuhësor dhe konceptual i botës. Komunikimi midis specieve, nuk mund të jetë asnjëherë plotësisht simetrik ose i plotë, pasi çdo specie e percepton dhe e kupton botën përmes “thjerrëzave” të veta gjuhësore dhe njohëse.
Përpara se dikush të besonte se është i mundur deshifrimi i gjuhës së balenave, disa shkencëtarë kanë kryer me herët eksperimente të famshme në përpjekje për t’u mësuar kafshëve gjuhën njerëzore. Për shembull, në vitin 1966, vetëm 3 vjet pasi botimit të romanit të famshëm “Planeti i majmunëve”, studiuesit Allen dhe Beatrix Gardner adoptuan një shimpanze të quajtur Washoe, që të vëzhgonin aftësitë gjuhësore të primatëve.
Ata e trajtuan atë si të ishte një fëmijë njerëzor, dhe e mësuan se si të komunikonte duke përdorur gjuhën amerikane të shenjave, një metodë komunikimi e përdorur nga njerëzit e shurdhër. Washoe mësoi më shumë se 350 shenja, dhe mund t’i përdorte ato për të formuar fraza të thjeshta dhe për të shprehur ide me një lloj kompleksiteti.
Në një rast tjetër në 1977, studiuesja Irene Pepperberg punoi me një papagall të quajtur Alex. Ajo i mësoi atij më shumë se 100 fjalë, dhe Alex mësoi të njohë forma, materiale dhe numra. Madje ai shpiku një mënyrë të re për të thënë “mollë”, sepse fjalën origjinale e kishte të vështirë ta shqiptonte me sqepin e tij, i cili është krijuar për të çarë arrat dhe farat.
Dr. Pepperberg kujtoi më vonë se fjalët e fundit që Alex i tha asaj para se të vdiste në kafazin e tij ishin:“Ti bëhu mirë. Unë të dua. Shihemi nesër”. Por Hornos thotë se ajo që e pengon një kafshë me inteligjencë superiore, si disa majmunë, që të mos jetë në gjendje të përdorë gjuhën njerëzore njëlloj si ne, është se ata nuk kanë një kuptim hierarkik të gjuhës, por më tepër një kuptim linear.
Por disa shkencëtarë, argumentojnë se duke pasur parasysh që njerëzit evoluan nga paraardhësit që ata kanë të përbashkët me speciet e tjera, duhet të ketë një vazhdimësi ose marrëdhënie evolucionare midis sistemeve tona të komunikimit dhe atyre të specieve të tjera.
Por a do të ndryshojë në të ardhmen marrëdhënia jonë me kafshët, nëse do të arrijmë të kuptojmë gjuhën e tyre? Armstrong thotë se një nga qëllimet kryesor të projektit “Interspecies Internet”, është se një kuptim më i mirë i gjuhës së kafshëve do të rrisë ndjeshmërinë tonë ndaj tyre.
“Kuptimi i gjuhës së specieve të rrezikuara, mund të na japë një informacion të vlefshëm kur bëhet fjalë për ruajtjen e tyre. Për shembull, njohja e asaj që na komunikojnë kafshët mbi kërcënimet e tyre apo nevojat për çiftëzim, mund t’i ndihmojë kujdestarët e tyre të marrin vendime më të informuara kur bëhet fjalë për mbrojtjen e habitateve dhe specieve.
Sipas ekspertit, ndërsa kuptojmë më mirë se si komunikojnë kafshët, ne mund të arrijmë të njohim dhe vlerësojmë më shumë inteligjencën dhe aftësitë e tyre njohëse, dhe të ndryshojmë mënyrën se si i shikojmë dhe i trajtojmë ata ligjërisht dhe nga pikëpamja sociale.
Marta Amat Grau, drejtuese e shërbimit etologjik në fakultetin e mjekësisë veterinare të Universitetit Autonom të Barcelonës, thotë se përparimi në të kuptuarit e gjuhës së kafshëve dhe komunikimit, po ndikon pozitivisht në marrëdhënien tonë me kafshët shtëpiake.
Sipas saj “shumë probleme të sjelljes, burojnë nga mungesa e të kuptuarit se si komunikojmë me qentë dhe macet”. “Sot, ne kemi njohuri të mjaftueshme për të interpretuar për shembull mjaullimat e një maceje apo lehjet e një qeni. Sidomos kur i analizojmë ato në lidhje me gjuhën e trupit të tyre, dhe kjo mund të tregojë nëse ata janë duke përjetuar ankth apo kërkojnë vëmendje”, shpjegon ajo.
Vitet e fundit, janë shfaqur aplikacione të posaçme për të përkthyer tingujt ose sjelljet e kafshëve shtëpiake në një gjuhë më të kuptueshme për njerëzit. Megjithatë, Grau paralajmëron se shumica e këtyre aplikacioneve nuk kanë baza shkencore./ El Pais