Aktualitet 67 të arrestuar në një operacion ndërkombëtar antidrogë, SPAK: U sekuestruan pasuri...

67 të arrestuar në një operacion ndërkombëtar antidrogë, SPAK: U sekuestruan pasuri me vlerë 5 mln euro

79 urdhërarreste u lëshuan këtë të hënë në një operacion masiv të shtrirë në të gjithë Italinë, kundër një grupi kriminal që merrej me trafikun e drogës. Për 67 prej tyre u ekzekutua masa e arrestit me burg, ndërsa për 12 të tjerët u caktuan masa të tjera.

Operacioni, i zhvilluar me mbështetjen e policisë shqiptare, asaj spanjolle, holandeze, gjermane dhe të vendeve të tjera të Bashkimit Europian, erdhi pas një hetimi të nisur nga Antimafia e Firences nga viti 2021. Pjesa më e madhe e arrestimeve u kryen në Itali, por edhe në Shqipëri dhe vende të tjera të Europës.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp mes agjencive ligjzbatuese ndërkombëtare që morën pjesë në këtë operacion, prokurori i SPAK, Vladimir Mara tha se në 2023-n, në Shqipëri janë arrestuar 21 persona. Bëhet fjalë për trafikantë, të cilët e siguronin drogën nga Lindja e Mesme dhe e trafikonin drejt Europës.

Po ashtu, në Shqipëri SPAK ka sekuestruar mbi 200 llogari bankare, 32 shoqëri tregtare, 19 pasuri të paluajtshme etj. Mara tha se vijon hetimi i pasurive të personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

“Është e qartë që krimi i organizuar ka kaluar çdo lloj kufiri. Pa një bashkëpunim të drejtpërdrejtë nuk mund të luftohet. Përveç përmbylljes së hetimeve janë evidentuar dhe dokumentuar vepra kriminale e 4 grupeve, të shtrirë në gjithë Europën”, theksoi Mara.

Ata mësohet se merreshin me trafikun e llojeve të ndryshme të lëndëve narkotike, si kokainë, heroinë, MDMA, hashash e marijuanë. Aktivitetin e ushtronin në Itali dhe vende të tjera të BE, ashtu sikurse edhe në Shqipëri.

Njoftimi i SPAK:

Me datë 05.02.2024 është finalizuar operacioni i koduar “Muratori”, i zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr.270 i vitit 2021, regjistruar për veprat penale të “Trafikimi i narkotikeve”, kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 28/4, 283/a, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Hetimet e këtij procedimi penal janë kryer në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore të krijuar ndërmjet Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Firences, Seksioni Antimafia, Itali, me ndërmjetësimin e EUROJUST.

Autoritetet italiane dhe shqiptare kanë ndërmarrë veprime kundër një rrjeti të madh të trafikut të drogës, që vepron në të dy vendet. Me mbështetjen e Eurojust-it dhe Europol-it në një operacion në shkallë të gjerë, sot në datën 05.02.2024 u arrestuan 67 të dyshuar, në Shqipëri, Itali, Gjermani, Spanjë, dhe Mbretërinë e Bashkuar, dhe ndaj 12 të dyshuarve të tjerë u ndërmorën masa të tjera parandaluese në Itali. Rrjeti kryesisht trafikonte heroinë, kokainë, hashash duke përdorur makina me dysheme të dyfishtë ose ndarje të fshehta.

Vitin e kaluar, gjatë një operacioni kundër të njëjtit grup të krimit të organizuar u arrestuan në Shqipëri 21 shtetas shqiptarë. Ky operacion çoi gjithashtu në sekuestrimin e një sasie narkotikësh me vlerë prej 2.7 milionë eurosh.

Operacioni i sotëm ka çuar në sekuestrimin e pasurive në vlerën 5 milionë euro.

Në Shqipëri janë sekuestruar: 32 subjekte tregtare, 45 automjete, 4 motomjete, mbi 200 llogari bankare, 19 pasuri te paluajtshme.

Dy oficerë të Europolit u vendosën në Shqipëri dhe Itali gjatë ditës së operacionit për të mbështetur autoritetet kombëtare me masat e tyre hetimore.

Operacioni i sotëm u krye në terren me kërkesë dhe me mbështetjen e autoriteteve të mëposhtme:

Itali: Zyra e Prokurorisë Publike të Firences; Korpusi i Karabinierëve me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme Italiane – Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor;

Shqipëri: Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK); Policia e Shtetit;

Agjensitë e zbatimit të ligjit të shtetit të Gjermanisë, Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar.