Aktualitet Trafik armësh dhe eksplozivësh nga Kosova në Shqipëri, sekuestrohen 46 kg tritol....

Trafik armësh dhe eksplozivësh nga Kosova në Shqipëri, sekuestrohen 46 kg tritol. Shkatërrohet grupi kriminal

46 kilogramë tritol u sekuestruan nga policia e Tiranës në një operacion që goditi një grup kriminal nga Kosova, i cili trafikonte lëndë eksplozive drejt vendit tonë.

3 persona ranë në pranga, të gjithë nga Gjilani, ndërsa 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Të arrestuarit janë Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkelqim Halabaku, 27 vjeç.

“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, i DVP Tiranë, pas një pune hetimore 4-mujore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke përdorur metoda speciale të hetimit, bëri të mundur goditjen e një grupi kriminal nga Kosova, që kryente trafikim armësh dhe lëndësh eksplozive nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Si rezultat i mirorganizmit të punës në kuadër të operacionit policor të koduar “THE SAME”, më datë 04.02.2024, në afërsi të urës së Gjolës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkelqim Halabaku, 27 vjeç, të tre banues në Gjilan. Në kuadër të këtij hetimi, u shpallën në kërkim edhe 2 shtetas kosovarë. Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan 203 kallëpe me lëndë plasësë të dyshuar tritol TNT, me peshë 46 kg”, tha kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në një deklaratë për mediat.

Po sipas këtij të fundit, kjo sasi ishte destinuar për t’u përdorur nga grupe kriminale të ndryshme, në territorin e Republikës së Shqipërisë.