Tre analistë të njohur, Preç Zogaj, Lorenc Vangjeli dhe Artan Hoxha kanë analizuar ngjarjet e fundit në Elbasan. Tre drejtuesit e emisionit të
vetëm shqiptar pa moderator, “Java” në RTSH, i kanë kushtuar vëmendje të veçantë dhe qytetit të Elbasanit, të përmendur shpesh kohët e
fundit në pothuaj gjithë tryezat e debateve.
Të premten në darkë, ata dhanë disa shpjegime befasuese dhe bënë komente të një kahu krejt tjetër mbi ngjarjet që ata i shohin gjithashtu
në një optikë tërësisht të ndryshme.
Hetimi i nisur nga prokuroria e Elbasanit për rreth 60 e ca personazhe të njohur më qytet, për ta është shumë problematik. Ata pohuan të
premten në mbrëmje, se ndryshe nga sa është lënë të kuptohet nga “rrjedhje informacioni” në media, nuk ka asnjë hetim për
kryebashkiakun Qazim Sejdini e bashkëshorten e tij, por vetëm një kontroll indirekt të personave të lidhur me të. “Prapavija e këtij hetimi
është dukshëm politike. Segmente të caktuara të prokurorisë po përdoren dhe vetëpërdoren për të ndryshuar “hartën” dhe ekuilibrat politikë
në qark, të fiksuar si në lokalet e 2015-ës, si në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti.
“Kjo është arsyeja që me të gjitha gjasat, shpesh do të ketë një hetim mbi këtë hetim”, tha Lorenc Vangjeli duke paralajmëruar se sfondi
politik i këtij hetimi është tashmë një gjë e njohur dhe se në të nesërmen, abuzimi i mundshëm i organit të prokurorisë, nuk do të jetë si
zakonisht, një dosje e mbyllur apo e harruar.
I të njëjtës linjë ishte edhe analisti Preç Zogaj, i cili shkon edhe më tej duke e quajtur hetimin mbi hetimin si një mundësi që do të ndodhë.
Dhe nënvizoi se, në pritje të Vetting-ut, prokuroria ka rastin e artë ti “bashkohet trenit të fundit”, në atë që po ndodh në Shqipëri. Për të
qenë një institucion i saktë, i qartë, i drejtë dhe në lartësinë e duhur në veprimet e saj dhe me një distancë ndaj ndikimeve politike.
Analisti Artan Hoxha sqaron rrethanat e ngjarjeve në këtë qytet dhe hetimet që po zhvillohen rreth incidentit me policinë dhe mundësinë e
përfshirjes së segmenteve të veçantë të saj me këto ngjarje. Hoxha sqaroi dhe telefonatën fillestare të muajit të shkuar, që vuri në lëvizje
policinë për të ndaluar disa makina, në ngjarjet e mbrëmjes që kulmoi me skenën përpara tregut ushqimor në qytet.
Tre analistët e njohur ranë dakord që rasti i Elbasanit po diskutohet gjatë për shkak se u bë publik. Por sipas Zogajt dhe Hoxhës, situata
është shumë më problematike në Lezhë e Shkodër, në Durrës dhe Fier.
“Kronikat e zeza me sfond politik të ditëve në vijim, do të njohin ngjarje të rëndësishme nga këta qytete”, paralajmëruan ata.
Aktualitet Ngjarjet e Elbasanit, analistët: Prokuroria po bën hetim politik