Aktualitet Goditet mafia shqiptare në Ekuador, në pranga 30 persona. Organizata kriminale drejtohej...

Goditet mafia shqiptare në Ekuador, në pranga 30 persona. Organizata kriminale drejtohej nga Dritan Gjika

Policia në Ekuador dhe Spanjë ka arrestuar të paktën 30 persona në një operacion të përbashkët si pjesë e një hetimi mbi një organizatë kriminale shqiptare, tha të martën zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ekuadorit.

Në një konferencë të përbashkët, autoritetet e të dyja vendeve bën të ditur se 18 prej të ndaluarve u arrestuan në Ekuador, ndërsa 12 të tjerët në Spanjë.

Të arrestuarit përfshinin njerëz nga Kolumbia, Argjentina, Kina, Spanja, Ekuadori dhe Shqipëria, tha policia e Ekuadorit, duke shtuar se grupi dyshohet se drejtohej nga një shtetas shqiptar.

Mediat në Ekuador shkruajnë se bëhet fjalë Dritan Gjikën nga Shkodra, i cili kishte hyrë në Ekuador prej vitit 2009.

Në total gjatë këtij operacioni u kryen 57 bastisje në gjashtë provinca të Ekuadorit dhe në katër qytete spanjolle, ndërsa u sekuestruan në vende të ndryshme rreth 2.3 tonë kokainë, 483 mijë dollarë, 10 armë të ndryshme dhe 25 automjete.

Sipas hetimeve që kanë zgjatur afro 2 vite, kjo organizatë kriminale e dedikuar për dërgesat transnacionale të drogës porosiste kokainë nga Kolumbia dhe përmes porteve të Ekuadorit e transportonte atë në vende të ndryshme të Europës si Belgjikë, Holandë, Turqi dhe Shqipëri dhe për ta shpërndarë më pas në gjithë Europën.

Paratë e përfituara nga ky aktivitet kriminal kjo organizatë dyshohet se i pastronte duke blerë pasuri paluajtshme.