Pesë persona janë arrestuar dhe një i gjashtë është shpallur në kërkim, pasi akuzohen për mashtrime me vizat amerikane dhe kontrabandim të qenieve njerëzore.
Policia e Shtetit tha se janë vënë në pranga pesë persona, R. N., K. P., K. K., K. L. dhe Xh. S., si dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të dyshuar si të përfshirë në skema mashtrimi të aplikimeve dhe marrjeve të vizave amerikane, me dyshimin e dhënies ndihmë për kontrabandim të qenieve njerëzore.
“Në disa raste i dyshuari kryesor R. N. ka përfituar shuma prej 10 000 eurosh për premtimin dhe garantimin e lëshimit të vizave amerikane, për persona të ndryshëm, duke lehtësuar emigrimin e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, disa nga të dyshuarit kanë përdorur/paraqitur informacione dhe formularë me të dhëna të rreme, me qëllim për t’u kualifikuar për kategori të caktuara vizash amerikane”, tha Policia.
Sipas autoriteteve mund të ketë persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Skema e mashtrimit me vizat, 10 mijë euro për person
Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës rezulton se ka prova që dëshmojnë se shtetasi R.N., nëpërmjet adresës në rrjetin social ‘Istagram’, emrin “viza_amerikane_insider”, kishte vendosur postimin “viza Amerikane me garanci 100%. “Ne garantojmë pajisjen me viza Amerikane 10-vjeçare. Ju paguani vetëm pasi viza t’ju aprovohet. 0683318483”.
Shtetasi R.N., garantonte marrjen e vizës Amerikane turistike 10-vjeçare me ndërhyrjen e tij në Ambasadë kundrejt shumës 10 000 euro.
Gjithashtu, hetimet provuan se shtetasi R.N., personave aplikantë i falsifikonte të dhënat e formularëve elektronikë në aplikimin për vizë amerikane me të dhëna të rreme, që aplikanti për vizë të kishte një profil kualifikues. Këtë gjë ai e bënte në bashkëpunim me aplikantin e vizës, sikundër janë aplikimet me shtetasit K.P., K.K., K. L., Xh.S., dhe E. Gj.,të cilët kanë rezultuar se në bashkëpunim me shtetasin R.N., kanë falsifikuar formularët elektronikë për vizë amerikane duke e plotësuar me të dhëna jo reale.
Shtetasi R.N paraqitej ditën kur aplikantët kishin intervistën në konsullatë, në Ambasadën Amerikane për marrjen e vizës. Ai i shoqëronte dhe i udhëzonte se si të silleshin gjatë intervistës. Pasi ata përfundonin intervistën, në rast se kualifikoheshin (merrnin vizën) shtetasi R.N merrte shumën prej 10 000 eurosh.