Ditën e sotme do të mbahet seanca e radhës parlamentare. Në një seancë ku është parashikuar të kalojë edhe projektligji për lojërat e fatit, deputeti Dashnor Sula ka vendosur të vijë me një mënyrë të veçantë.
Ai kishte vënë një kapele me logon e një kompanie bastesh. Ndërkohë në xhup kishte ngjitur disa kartëmonedha në Euro dhe Dollarë duke ironizuar kështu këtë ligj.
Për mediat ai u shpreh se sot fillon dita e çmendurisë për mazhorancën. Sipas tij, ligji për bastet online do t’iu shërbejë vetëm politikanëve dhe grupeve kriminale për të pastruar paratë.
“Para 10 vitesh ju kujtohet të gjithëve deklarata e fortë e mazhorancës që tha do i japim fund marrëzisë, kurse sot ka filluar dita e çmendurisë për mazhorancën. Pra përfunduan pastrimi i parave në kullat e ndërtuara dhe sigurisht krimi i organizuar, trafiqet të kokainës, të heroinës që të investoheshin në ndërtim, dhe tani e kanë gjetur gjetjen që pastrimi i parave do të bëhet në sektorin e lotove, bixhozit dhe do të justifikojnë lekët politikanët, krerët e grupeve kriminale të cilët të jeni të sigurtë do jenë përfituesit e parë dhe do ligjërojnë paratë e tyre. Kjo është e tmerrshme”, tha Sula.
Këtë të enjte pritet të kalojë me votat e mazhorancës ligji për lojërat e fatit duke i hapur zyrtarisht ushtrimit të këtij aktiviteti, online.