Nga selia e Partisë Demokratike, Lulzim Basha hodhi akuza në drejtim të palës tjetër të opozitës, sipas së cilit, duket fare qartë se ka vendosur interesat personale mbi interesat e qytetarëve.
Ai tha se Partia Demokratike e drejtuar prej tij refuzon që t’i bashkohet këtij grupimi, për sa kohë që sipas tij, askush nuk ngjall besim të popullit.
“Arsyeja e vetme është dobësimi i opozitës nga një grusht njerëzish që interesin personal e kanë vënë mbi interesat e qytetarëve, kjo strategji duket kudo, si sot në parlament, duket në tendencën për t’iu imponuar halleve të qytetarëve, në vend që të ngjallë besim, ngjall dëshpërim, në vend që të derdhet në bulevarde mezi mbush rrugicat, të lënë mënjanë interesat personale, nuk jemi pjesë e kësaj, kemi bërë thirrje dhe kemi paguar një çmim të lartë që kjo të mos ndodhë, PD-ja të mos shkatërrojë ndjesinë e shpresës, por të ndërtojë një të tillë përmes qëndrimeve, propozimeve, ofertave programore dhe së shpejti një ekipi njerëzish që testin kryesor e kanë për të provuar që janë aty, jo si mbushës numrash, por për t’i dhënë fund telenovelave me 4-5 aktorë me 1-2 regjisor”, tha Basha.
A do jetë të protesta e Berishës? Basha: Ftesa s’bëhet duke folur nga ballkoni i Papës
Sali Berisha ka thirrur në 20 shkurt një protestë, por ajo që është e sigurt është fakti që Lulzim Basha dhe deputetët e tij nuk do të marrin pjesë. Një fakt të tillë e ka konfirmuar vetë Basha në një deklaratë për mediat nga selia blu, duke thënë se qëllimi i asaj protestë nuk është rrëzimi i qeverisë, por për të treguar se kush është “opozita e vërtetë”, e nga ana tjetër hodhi sulme të ashpra në drejtim të Sali Berishës.
“Nëse donte të bënte një protestë, kjo nuk bëhet duke folur nga ballkoni i papës, kjo po bëhet duke u ulur bashkë, për ca do protestojmë, kush do bashkohet, nuk e kanë bërë, po japin urdhrat nga kati i tetë. Çfarë qëndrimi do kemi me njerëz që po luftojnë kundër nesh, që na thanë tradhtar, ti se ke mendjen në protestë, po ca llokmash të kapësh nga opozita, opozita e ka betejën me një pjesë të saj më shumë sesa me qeverinë”, tha Basha.
Këtë deklaratë ai nuk e konsideroi si një zbutje të qëndrimit të tij, por thotë se pret një reflektim nga ana tjetër e opozitës.
“Ftesat e mia kanë qenë konstante, prej 9 shtatorit 2021 nuk jemi futur për shkak të qëllimeve të mia, por sesi i kanë interpretuar, nuk jam unë që po ndryshoj diçka, por shpresoj që ata që na kanë futur në këtë trajektore të vijnë një moment dhe të thonë ku po shkojmë”, tha ai.