Të hënën u shkatërrua një tjetër kartel ndërkombëtar i trafikut të drogës që operonte mes Costa del Sol dhe Ekuadorit. Një operacion masiv ku u sekuestruan 3.2 tonë kokainë dhe ku policia bastisi 21 ambiente në Spanjë, kryesisht në Marbella dhe Malaga, si dhe në Barcelonë, Valencia, Sevijë, Granda dhe Kadiz. Në të njëjtën kohë përtej Atlantikut, policia ekuadoriane shkelmoi 56 dyer në lokacione të ndryshme nëpër vend.
Operacioni shkatërroi mafian shqiptare që kishte arritur të shtinte në dorë zyrat në rangjet më të larta në Ekuador, në mënyrë që të mbushte Europën me drogë kolumbiane. Autoritetet thanë se ky rrjet synonte që të importonte të paktën 3.2 tonë kokainë në portet e Spanjës, të fshehura mes bananeve, duke shfrytëzuar pozicionin e Ekuadorit si eksportuesi numër 1 i këtij fruti.
Mbi 30 anëtarë të grupit transnacional kriminal, mes tyre edhe ‘koka’, shqiptari 48-vjeçar Dritan Gjika, u vunë në pranga. 12 prej tyre u arrestuan në Spanjë. Dritan Gjika, i cili u vendos në Ekuador në 2013-n, ishte në mesin e 18 anëtarëve të kartelit që u arrestuan në vendin e Amerikës së Jugut.
Sipas asaj që raportojnë mediat, Gjika, i cili dyshohet se mbikëqyrte prodhimin e kokainë në laboratorët kolumbiane të drogës, kishte lidhje të dyshimta biznesi me ish-presidentin ekuadorian Guillermo Lasso.
Të arrestuarit e tjerë janë me kombësi të ndryshme, përfshirë Shqipërinë, Argjentinën, Kolumbinë e deri Kinën. Operacioni po ashtu bëri që autoritetet në Spanjë të sekuestronin një numër vilash luksoze dhe pronash me vlerë 13 milionë euro. Pronat luksoze që gjenden nëpër Marabella dhe Costa de Sol, prej kohësh kanë qenë mënyra kryesore për të pastruar paratë që burojnë nga droga.
Sipas autoriteteve ekuadoriane, bashkëpunimi kompleks kriminal, përfshinte transportimin e kokainës së rritur dhe kultivuar në Valle del Cauca në Kolumbi në portin e Guayaquil të Ekuadorit. Nga aty fshihej mirë në mesin e ngarkesave me banane dhe futej në anijet e mallrave të destinuara për portin e Malaga dhe në vende të tjera kyçe hyrëse në Europë.
Përveç anës logjistike, karteli ishte gjithashtu i përfshirë në pastrimin e parave që buronin nga droga, që besohet se kapin vlerën e 32 milionë eurove në rajon. I pa mjaftuar me lëvizjen e sasive të mëdha të kokainës, karteli kishte po ashtu një rrjet të gjerë biznesesh dhe kompanish të krijuara për të fshehur paratë.
Willian Villarroel, drejtuesi i anti-narkotikëve në policinë ekuadoriane, tha se grupi përdorte 6 kompani në Ekuador dhe 4 në Spanjë për të fshehur drogën, mes ngarkesa me banane. “Ata kishin mjaft aktivitet tregtar, nëpërmjet së cilit lehtësonin pastrimin e parave”, tha ai në një konferencë për shtyp.
Pavarësisht se kishte arritur të ruante një rekord të pastër kriminal në Ekuador, që nga momenti që kishte shkuar atje, bosi i krimit, Dritan Gjika kishte ngjallur dyshime me mënyrën si operonte bizneset e tij.
Një hetim 2-vjeçar zbuloi pozicionin e tij në krye të prodhimit dhe logjistikës në Amerikën e Jugut, duke mbikëqyrur jo vetëm prodhimin, por edhe ekipet që dorëzonin kokainën në portet ekuadoriane.
Emri i Gjikës u bë i njohur pas lidhjes që kishte pasur me biznesmenin Ruben Cherres, trupi i të cilit u gjet me shenja torture në Santa Elena, në brigjet ekuadoriane. Cherres ishte mik i Danilo Carrera, kunatit të ish-presidentit Guillermo Lasso, i cili u largua nga kjo detyrë pas akuzave për korrupsion.
Ai ishte po ashtu dëshmitar kyç, i gatshëm për të folur për një rrjet biznesesh të dyshuara se përdoreshin për të fshehur paratë e drogës, disa prej të cilave dyshohet se shkonin deri lart, në zyrën e Lasso-s.