Aktualitet Polici bashkë me të birin tentojnë të vrasin një 29-vjeçar në Kavajë

Polici bashkë me të birin tentojnë të vrasin një 29-vjeçar në Kavajë

Një ngjarje e cila mund të kishte pasur pasoja të rënda ndodhi mesditën e së enjtes në qytetin e Kavajës. Protagonistë ishin një efektiv i policisë së Durrësit dhe djali i tij, të cilët pas një konflikti për motive të dobëta me një 29-vjeçar, qëlluan me armë zjarri në drejtim të makinës me të cilën udhëtonte ky i fundit. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:25, në lagjen Nr.2 të këtij qyteti. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati të lënduar.

Në një njoftim për mediat, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) tha se ka vënë në pranga punonjësin e policisë, N/Komisar Kastriot Gjongecaj, ndërsa djali i tij 24-vjeçar, Denis Gjongecaj, është shpallur në kërkim.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë N/Komisar Kastriot Gjongecaj, me detyrë specialist në seksionin e shërbimeve ndaj të tretëve në DVP Durrës, si edhe shpalli në kërkim Denis Gjongecajn, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”. Arrestimi i N/komisar Kastriot Gjongecaj u krye pasi nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake ka rezultuar se në bashkëpunim me Denis Gjongecajn, 24 vjeç (djali i tij), më datë 08.02.2024, rreth orës 13:25, në lagjen Nr.2 të qytetit të Kavajës, janë konfliktuar për motive të dobëta dhe kanë qëlluar me armë ndaj automjetit me të cilin udhëtonte Kiti Kazazi, 29 vjeç. Nga kjo ngjarje nuk ka patur të lënduar”, thuhet në njoftim.

AMP thekson se “mbetet e përkushtuar në misionin për garantimin e zbatimit të ligjit dhe vetëpastrimin e Policisë, ndërsa fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin, duke telefonuar falas në numrin 08009090”.