Mjeku Ilir Alimehmeti, njëherësh edhe anëtar i këshillit bashkiak të PD, deklaroi se ndotja e lartë e ajrit në Tiranë sjell probleme të mëdha në shëndetin e njerëzve dhe është mbi normat e lejuara nga OBSH.
Ai u shpreh se ndotja është 18 herë më e lartë se norma e pranuar nga OBSH, ndërkohë që theksoi se si pasojë e saj qytetarët kanë probleme kardiovaskulare, probleme respiratore, si dhe një ndikim të lartë ka edhe në rritjen e numrit të fëmijëve me autizëm.
“Ndotja me grimca shumë të imëta, PM 2.5, është 18 fish më shumë se norma e lejuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Shkakton probleme kardiovaskulare dhe respiratore. Lidhet edhe me problemet e autizmit. Risku rritet me 64 për qind nëse një fëmijë ekspozohet në 10 mikrogram për metër kub. Ne jemi 33-93 mikrogram për metër kub”, tha ai.
Ndërsa norma e OBSH për dioksidin e azotit është 10 mikrogram për metër kub ndërkohë që të dhënat në 20 pika të ndryshme të Tiranës të matura për mbi 1 javë rresht, Alimehmeti thotë se tregojnë se janë nga 2 deri në 9 fish më të larta sesa norma maksimale të lejuara nga OBSH.
Për Tiranën në veçanti, shkalla e humbjes së jetës së parakohshme në vit është 1730 persona vetëm nga grimcat e vogla PM2.5.
Alimehmeti tha se ndikimet shëndetësore shkurtojnë jetën por edhe rrisin kostot mjekësore dhe ulin edhe produktivitetin për shkak se punonjësit janë të sëmurë.
Ai tha edhe se Tirana tashmë nuk raporton më për cilësinë e ajrit tek institucionet europiane dhe “edhe pse ne do kërkojmë informacion zyrtar, dihet se çfarë do ndodhë sepse përderisa nuk raportojnë në institucione, dihet sa do na raportojnë ne”.