Ardian Gjeloshi së bashku me vëllain e tij Dritan Gjeloshi janë përfshirë në një ngjarje të rëndë në vitin 2002. Ata qëlluan me armë zjarri drejt një kamionçine dhe lanë të vdekur në vend Marie Prengën, nënë e katër fëmijëve.
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e Selman Mihanës dhe plagosjen e Ardian Gjeloshit në Gurëz të Kurbinit. Shënjestra e atentatit dyshohet të ketë qenë Ardian Gjeloshi që mori vetëm dy plumba dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Raportohet se 3 nga pistat kryesore ku po heton Policia është hakmarrja, mosmarrëveshjet në biznes dhe një plagosje e ndodhur disa vite më parë.
Pista e hakmarrjes
Ardian Gjeloshi së bashku me vëllain e tij Dritan Gjeloshi janë përfshirë në një ngjarje të rëndë në vitin 2002. Ata qëlluan me armë zjarri drejt një kamionçine dhe lanë të vdekur në vend Marie Prengën, nënë e katër fëmijëve.
Nga të shtënat asokohe mbetën të plagosur dhe tre persona të tjerë që ishin në mjet. Konkretisht: Oficeri i FNSH Kastriot Prenga, Gjergj e Vitore Prenga.
Ndërkohë nuk përjashtohet mundësia e konflikteve në biznes. Kjo pas Ardian Gjeloshi ka pasur konflikte me një fis nga fshati Pllanë sa i përket përpunimit të inerteve.
Por sipas bluve të Kurbinit, nuk përjashtohet as ndonjë konflikt i lindur për shkak të plagosjes së djalit të Ardian Gjeloshit.
Mihana dhe Gjeloshi u qëlluan rreth orës 07:00 të mëngjesit teksa po hynin në zyrë. Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të firmës që merrej me përpunimin e inerteve, ndërsa autorët kanë qëlluar të paktën 15 herë nga jashtë rrethimit. Policia është vënë në ndjekje të autorëve, por ende nuk ka asnjë gjurmë prej tyre.