Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, ka dhënë dorëheqjen pasi u bë publik fakti që ajo kishte falur një burrë të dënuar për një rast të abuzimit seksual të fëmijëve.
Presidentja Katalin Novak është përballur me ditë presioni në rritje për të dhënë dorëheqjen për shkak të vendimit të saj dhe në fund u dorëzua.
46-vjeçarja njoftoi me anë të një daljeje televizive se do të tërhiqej nga drejtimi i presidencës, një detyrë që e mban që nga viti 2022.
“Kam bërë një falje që shkaktoi hutim dhe trazira për shumë njerëz,” tha Novák të shtunën. “Kam bërë gabim.”
Novak, presidentja e parë grua në historinë e Hungarisë, shkaktoi një skandal politik të paprecedentë për qeverinë nacionaliste të vendit.
Të premten pati protesta në kryeqytetin hungarez Budapest gjatë të cilave u kërkua dorëheqja e Novak.
Novak nuk dha një arsye për faljen e diskutueshme.
Burri që ajo fali ishte nëndrejtori i një shtëpie fëmijësh në Bicske pranë Budapestit.
Sipas vendimit të gjykatës, ai i detyroi fëmijët të hiqnin dorë nga dëshmitë e tyre si viktima të abuzimit kundër drejtorit të shtëpisë për të shfajësuar shefin e tij.
Drejtori i shtëpisë u dënua me tetë vjet burg.
Zëvendësi i tij i falur u dënua me tre vjet e katër muaj burg.
Falja u bë në maj 2023, me rastin e vizitës së papa Françeskut në Budapest.
Kryeministri Viktor Orbán paraqiti një propozim në parlament të enjten në mbrëmje për të ndryshuar kushtetutën hungareze, në mënyrë që në të ardhmen, kriminelët, krimet e të cilëve viktimat e fëmijëve, përgjithësisht të mos falen.
Kjo ishte hera e parë që Orban distancohej nga Novak, ish-zëvendëspresidente e partisë së tij populiste nacional-konservatore ”Fidesz”, në pushtet.