Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalimit para mbështetësve të tij poshtë pallatit ka komentuar mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme nga Asambleja Kombëtare e PS-së. Berisha u shpreh se Rama përdori metodat që diktatori Hoxha përdorte në plenumet e linçimit duke ju vërsulur Veliajt. Berisha tha se “terrorit” nuk i shpëtoi as Olta Xhaçka.
“Tjetër gjë ishte asambleja, për asambleistët Edi Rama përdori në mënyrë identike metodat e Enver Hoxhës ndaj armiqve të brendshëm. Për asambleistët Edi Rama vendosi kontrollin e plotë dhe total në sallë, saqë edhe për nevoja personale, Gramozi u detyrua t’i dërgonte dy letra për t’i marrë leje. I tillë ishte terrori që vendosi.
Për asambleistët përdori ato metoda që diktatori Hoxha përdorte në plenumet e linçimit. Ju vërsul Erion Veliajt, jo se ke ngrënë dardha të prishura, por se je bërë një hiç, në një OJF. Këtu para jush kam denoncuar aktet se si bashkia e Tiranës, gumëzhin nga mëngjesi në darkë kundër Edi Ramës. Por gumëzhitja ka arritur edhe në Surrel, prandaj dhe u kthye sot në sallën e plenumit të asamblesë.
Terrorit nuk i shpëtoi as Olta Xhaçka dhe të tjerë indirekt. Miqtë e mi! Edi Rama sot ju tha asambleistëve se jeni të kontrolluar prej tij në çdo hap, akt. Ti zonja Xhaçka e ke harruar Facebook, nuk na bën më as like. Imagjinoni ju diktatorin se si ua kontrollon, Tik Tokun, Instagram, Facebook”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se Rama në Asamble kishte në krah Charles McGonigal dhe para tij ecte Arben Ahmetaj. Ai shtoi se në 5 orë mbledhje, qytetarët shqiptarë mësuan se akuzat e Ahmetaj ishin 100% të vërteta dhe heshtja e Ramës e konfirmoi këtë.
“Në asamblenë e kalbësirës që quhet Rilindje. Të ndalen për një moment hap pas hapi, të analizojnë këtë asamble, e cila do të shkruhet me germat më të zeza në histori si asambleja film tipike e një organizate kriminale. Edi Rama tek hynte në asamble, në krah kishte Charles McGonigal. Para tij ecte Arben Ahmetaj. Gazetarja e pyet, e lë pa gojë, e lë pa mend, nxihet dhe ikën. Ndalni pak. Mos harroni këtë asamble. Cilat qenë dy anët e saj të dashur qytetarë.
Për ju, për shqiptarët, socialistët, papartitë, asambleja ishte një heshtje varri, sepse Edi Rama përdori ndaj qytetarëve shqiptarë, kodin e omertas, kodin e mafias, sipas të cilës anëtarët janë të betuar të mos çelin gojën, se përndryshe i pret plumbi pas veshit. Asgjë nuk pipëtin. Nuk kishte më fjalime për inteligjencën artificiale, as për hidrogjenin e Bulqizës, apo metanin e Shpiragut. Jo, jo, kishte omerta, omerta, omerta.
Në 5 orë mbledhje, qytetarët shqiptarë mësuan se akuzat e Arben Ahmetaj ishin 100% të vërteta. Se ajo heshtje vdekësore, vetëm sa konfirmoi një për një ato akuza të tmerrshme. Arben Ahmetaj në të vërtetë në intervistën e tij certifikoi të gjithë vërtetësinë e akuzave të opozitës, se Edi Rama është autori kryesor i djegësave në Shqipëri. Se Erion Veliaj është pronari i djegësit të Tiranës.
Arben Ahmetaj dëshmoi para shqiptarëve se vetingu është një akt fund e krye politik, se drejtohet me mesazhe dhe dokumente false dhe se u bë me gjah shtrigash. Ai u tha shqiptarëve se kreu i ekzekutivit ka kryer veprime të llahtarshme, ndaj dhe omerta, sepse të llahtarshme për çdo njeri normal janë aktet e vrasjes, pengmarrjes, detyrimit me forcën e armëve për ti kryer një akt kriminal tjetrit.
Në rastin e Ramës, me avion privat në dispozicion jashtë çdo kontrolli, janë dhe mund të jenë baulet me tonelata drogë, pasi siç thotë Ahmetaj është arkitekti i kanabizimit të Shqipërisë, ose baulet me narkoeuro, ose kontot bankare të ofshore.
Mos harroni se në 2014 u akuzua nga OSBE-ja se ka 200 mln euro ofshore. Pra llahtari këto mund të jenë, ndaj dhe kodi i mafias për qytetarët shqiptarë. Arben Ahmetaj e akuzoi Edi Ramën se i ka kërcënuar në mënyrën më të rëndë në kryesi, dhe më pas janë kërcënuar fëmijët, familja. Asnjë anëtar kryesie nuk doli ta mohojë. Të gjithë i pranuan me heshtje denoncimet e Ahmetajt. Kjo ishte asambleja për qytetarët”, u shpreh Berisha.