Sport Buffon: Më këto 3 lojtarë të PSG-së, Juventusi do ta kishte fituar...

Buffon: Më këto 3 lojtarë të PSG-së, Juventusi do ta kishte fituar 4 herë radhazi Champions-in

Ish-portieri i Juventusit, Parmës, PSG-së dhe kombëtares së Italisë, dha një intervistë të gjatë me podcast-in italian BSMT, duke treguar prapaskenat e disa prej momenteve më ikonike të karrierës së tij legjendare.

Buffon zbuloi se kishte vendosur të tërhiqej në vitin 2018, kështu që refuzoi të nënshkruante zgjatje të kontratës me Juventusin. Megjithatë, PSG bëri një ofertë për nënshkrimin e tij disa muaj më vonë, kështu që Gigi ndryshoi mendje dhe vendosi të transferohej në Francë:

“Në prill, agjenti im erdhi dhe më pyeti nëse vërtet doja të tërhiqesha. Thashë se kisha vendosur, por nëse Barcelona, Real Madrid ose PSG do të telefononin të nesërmen, do të mendohesha. Muajin pasardhës, agjenti im më telefonoi përsëri duke më kërkuar të takoheshim dhe kuptova që një nga këto tri klube ishte interesuar.

Ishte një eksperiencë e mahnitshme, nga ana njerëzore dhe profesionale. Në Paris u ndjeva sërish i lirë. Është një qytet ndërkombëtar ku mund të shkosh në një restorant dhe të takosh Leonardo Di Caprio. Askush nuk habitet nga kjo, sepse i tillë është normaliteti atje. Ndihesha si një qytetar i botës dhe të gjithë më donin.

Pashë lojtarë tepër të talentuar, të gjithë në një ekip. Unë vija nga Juventusi, i cili tashmë kishte lojtarë të fortë, por kur mbërrita te PSG, mendova: ‘Mamma Mia’. Nëse i marrim të gjithë këto lojtarë dhe i sjellim në Torino, ne do ta fitojmë Champions League katër herë radhazi. Por si në të gjitha gjërat, ka të mirat dhe të këqijat e veta kjo.

Lojtarë të tillë si Mbappé, Verratti, Neymar, Thiago Silva dhe Marquinhos ishin të jashtëzakonshëm, por pyesja veten se si ata nuk mund ta fitonin Champions League. Pastaj kupton se dinamika, me kaq shumë lojtarë të mëdhenj, mund të bëhet e komplikuar, edhe nëse kishte një ambient të këndshëm në dhomën e zhveshjes atë sezon”.

Buffon fitoi disa trofe në karrierën e tij, duke përfshirë 10 tituj të Serie A me Juventusin, më shumë se çdo lojtar tjetër, dhe një Kupë Bote me Italinë më 2006.

“Ishte padyshim një moment mahnitës, por mbaj mend që ishim aq nën presion, saqë kur fituam, isha aq i lodhur sa nuk e shijova plotësisht, – tha Buffon, duke folur për fitoren e Italisë në Kupën e Botës në Gjermani. – Natyrisht, isha i kënaqur, por i rraskapitur. Pika e kthesës ishte udhëtimi që kishim bërë së bashku dhe disa gjëra ende na lëndojnë, si Europiani i mëparshëm në Portugali. Këto momente të vështira na bashkuan edhe më shumë. Kishte një motivim të madh mes nesh. Marcello Lippi ishte gjithashtu vendimtar.

Ai dha dy-tri sinjale të rëndësishme. Së pari, kur Francesco Totti u lëndua. Që nga e nesërmja e mbështeti atë. Para se të nisej për në Kupën e Botës, rrëmuja e ‘Calciopoli’ shpërtheu, por Lippi e mbajti stekën lart dhe na dha forcë të madhe, duke na bërë të kuptojmë se mund t’i mposhtim kritikat dhe polemikat”.

Portieri legjendar italian luajti gjithashtu tri finale të Ligës së Kampionëve me Juventusin, por kurrë nuk arriti të vinte duart në “kupën me veshë të mëdhenj”. Kur u pyet se për çfarë i vjen keq, Buffon u përgjigj: “Keqardhja më e madhe lidhet me finalen e Champions League kundër Milanit në vitin 2003, që shkoi me penallti. Ne humbëm tri penallti, ato dy. Nesta realizoi penalltinë e katërt për ta.

U hodha në drejtimin e duhur dhe isha i sigurt se do ta prisja topin. Megjithatë, në një moment pashë topin të lëvizte më shpejt në dy metrat e fundit, ndryshoi pak drejtim dhe e pashë që po hynte në rrjetë. Ishte kaq dëshpëruese. E mbaj mend akoma, ishte aq zhgënjyese sa në atë moment gjithçka u bë e zezë. Kjo nuk do të thotë se do të kishim fituar, por ishte një moment shumë zhgënjyes për mua”.

Buffon gjithashtu iu rikthye vendimit të tij për të qëndruar te Juventusi në Serie B, pas “Calciopoli”: “Në momente të vështira nuk shikoja kurrë nga ana tjetër. Ishte gjithashtu një mundësi për të treguar se mund të luani edhe për vlera të tjera. Do ta bëja përsëri 100 herë, edhe nëse kjo më kushtoi disa gjëra në karrierë”.