“First World Hotel” në Malajzi është hoteli më i madh në botë me një kapacitet prej 7351 dhomash. Nëse është plot, kjo do të thotë se mund të strehojë deri në 14 mijë njerëz si dhe t’i argëtojë në parkun e saj, shkruan The Sun.
Sapo e sheh nga larg, gjëja e parë që të vjen në mendje është se inxhinieri dhe ndërtuesi i saj kanë pasur si synim argëtimin e jo thjesht akomodimin.
Ai është i lyer si ylber, përbëhet nga dy ndërtesa shumëkatëshe dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 50 mijë metrash katrorë, i cili përveç hotelit ka edhe një park të brendshëm, një qendër të madhe tregtare dhe restorante të ndryshme. Hoteli ndodhet në majë të malit Ulu Kali i rrethuar nga zona të mëdha pyjesh shiu. Kjo ofron pamje fantastike nga dhomat e hotelit. Ai ka 28 kate, dhe dhomat e hotelit janë për të gjitha shijet: nga dhoma standarde dhe luksoze deri te dhomat e “World Club” që kanë gjithashtu një zonë shtesë të ndenjjes.
“Las Vegasi i Azisë”, siç e kanë quajtur vendasit, u hap në vitin 2001 me një ndërtesë të vetme dhe, brenda katër viteve, mori titullin e hotelit më të madh në botë. Emri i tij hyri në Librin e Rekordeve Guinness. Megjithatë, në vitin 2008, titulli u “vodh” nga “The Palazzo”, pas zgjerimit të hotelit “The Venetian”.
Hoteli më i madh në botë ka gjithashtu një disko, një park argëtimi dhe madje edhe një karusel. Atraksione të tjera përfshijnë “Botën e borës” të stilit evropian me sajë dhe igloo, “Genting Bowl”, qendra e arteve kulturore “Seni Kome Peng Hen” dhe “Ripley’s Believe It Or Not Odditorium”. Dhe ndërsa kumari në Malajzi është i ndaluar, ka një kazino në vend për të interesuarit. “Las Vegas i Azisë” gjithashtu përmban një pishinë të brendshme, rrugicë bowling dhe kinema.