Kryesore Kuvendi i jep “OK” rikthimit të basteve sportive, 22 Nëntori shpallet festë...

Kuvendi i jep “OK” rikthimit të basteve sportive, 22 Nëntori shpallet festë zyrtare

Mes kaosit në Kuvend, janë votuar pro të gjitha projekligjet e parashikuara për diskutim në seancë plenare, mes të cilëve edhe ai “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” me 72 vota pro.

Socialistët po ashtu votuan propozimin për të shpallur 22 Nëntorin, një festë zyrtare. Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe do të jetë ditë pushimi duke nisur nga ky vit. Kongresi i Manastirit shënohet si ngjarja më e madhe historike e kombit tonë dhe vlerësohet për rëndësinë e tij të institucionalizimit të alfabetit të gjuhës shqipe.

Në nisje të seancës, disa nga deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren dhe me pankarta në duar, u kanë fryrë bilbilave teksa kryeparlamentarja Nikolla ka lexuar rendin e ditës.

Në këtë mënyrë, seanca nuk ka vijuar në mënyrë normale dhe votimi për projekligjet e parashikuara ka kaluar me procedurë të përshpejtuar. Seanca e sotme ka zgjatur vetëm 18 minuta mes kaosit dhe tensionit të shkaktuar nga deputetët e opozitës.

Gjithashtu në këtë seancë ishte parashikuar që të mbahej një interpelancë me kryeministrin Rama për çështjen “Ahmetaj”, e kërkuar nga disa deputetë të opozitës. Në nisje të seancës, Nikolla ka njoftuar se për shkak të angazhimeve zyrtare të kryeministrit Rama në Bruksel, ky i fundit ia ka deleguar interpelancën ministres Spiropali, por deputetët kërkues të PD-së nuk pranuan.