Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pezulluar për 1 vit gjykimin ndaj Arben Ahmetajt për dosjen “Buka sha”.
Gjykata ka konstatuar se ish-zv.kryeministri i pandehur, nuk ka marrë dijeni zyrtarisht për këtë proces ndaj tij.
Nga ana tjetër, prokura që ka paraqitur në gjykim avokati i tij, Henrik Ligori, ka qenë e hershme dhe nuk i jepte tagrin e nevojshëm për këtë gjykim. Referuar faktit se i pandehuri Ahmetaj është në mungesë, gjykata ka vendosur pezullimin e çështjes.
Ish-zv/Kryeministri Arben Ahmetaj akuzohet për këtë çështje për shpërdorim detyre dhe për dëm ekonomik 7 miliardë lekë ndaj familjes Myderizi e cila ishte pronare e 50% të aksioneve në ndërmarrjen “Buka sha”.
Në praktikën e privatizimit të ndërmarrjes në të cilën edhe shteti ishte aksioner, rezulton se është gjetur shkelje mbi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila detyronte shtetin të pranonte si çmim shitje atë të vlerës së tregut dhe jo vlerën e vitit 1994.
Arben Ahmetaj është i shpallur në kërkim ndërkombëtar për dosjen tjetër për të cilën akuzohet, atë të inceneratorëve.