Për operacion ka reaguar dhe ministri Taulant Balla, i cili shkruan se nga operacioni “La Pampa” u arrestuan 31 persona në total. Vlera totale e pasurive të sekuestruara arrin në 48 milionë euro
Policia spanjolle ka vënë në pranga 17 persona, që ishin pjesë e një grupi kriminal, i cili trafikonte drogë, dhe kishte në krye shtetas shqiptar. Operacioni është zhvilluar në zonën e Valencias, dhe policia ka gjetur një sasi prej 820 kilogramësh kokainë. Sipas mediave vendase në pranga ka rënë dhe drejtuesi i grupit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.
Gjatë kontrollit të banesave luksoze janë gjetur 226 500 euro cash, tre aparate për zbulimin e GPS, si dhe janë sekuestruar 13 automjete. Hetimi për këtë operacion ka nisur që në vitin 2023, dhe informacionet e marra për shqiptarët, bën që policia dhe prokuroria të ndiqte rrjetin e tyre të trafikut të kokainës, e cila sillej nga Amerika Latin në Europë. Po ashtu hetuesit kanë gjurmuar edhe pastrimin e parave nga banda kriminale.
I pari është identifikuar drejtuesi i rrjetit e më pas të gjithë anëtarët e këtij rrjeti si dhe zbuloi disa shtëpive luksoze dhe magazina industriale në pjesë të ndryshme të Valencias që organizata kishte në dispozicion. Në një lavazh, rrjeti kriminal bënte mbledhjet për të shpërndarë udhëzimet anëtarëve të grupit.
Po ashtu në kuadër të këtij operacioni janë bërë goditje të klanit të Dritan Gjikës në Ekuador.
Në lidhje me këtë operacion ka reaguar dhe ministri Taulant Balla, i cili shkruan se nga operacioni “La Pampa” u arrestuan 31 persona në total. Vlera totale e pasurive të sekuestruara arrin në 48 milionë euro.
“Sapo kam marrë përgëzimet për kontributin e Policisë së Shtetit dhe të SPAK, në realizimin me sukses te operacionit La Pampa, nën koordinimin e EUROPOL dhe zbatimin nga Policia Kombëtare spanjolle, i cili çoi në goditjen një rrjeti të rëndësishëm të trafikut të drogës nga Ekuadori drejt BE-së. Ky operacion ndërkombëtar shënoi: 31 arrestime, në Spanjë dhe Ekuador, sekuestrimin e 25 automjeteve, 10 armë zjarri, pajisje elektronike me vlerë rreth 13 milionë euro dhe afro 3 milionë cash në valuta të ndryshme dhe pasuri të sekuestruara me një vlerë totale prej rreth 48 milionë euro.
Bashkëpunimi gjithmonë më i fortë dhe suksesshëm me agjencitë e bashkëpunimit policor, EUROPOL dhe INTERPOL, është tregues i qartë i besueshmërisë dhe profesionalizmit të Policisë së Shtetit, cilësi tashmë të njohura dhe të vlerësuara edhe nga këto organizata partnere”, shkruan ministri Balla.