Kryesore Turqia e Shqipëria mbledhin Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik, Rama-Erdogan do të nënshkruajnë...

Turqia e Shqipëria mbledhin Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik, Rama-Erdogan do të nënshkruajnë disa marrëveshje

Presidenca turke ka bërë një njoftim zyrtar në lidhje me vizitën që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë këtë të martë në Turqi, ku do të pritet nga presidenti Rexhep Taip Erdogan.

Sipas njoftimit zyrtar, Rama dhe Erdogan do të bashkëkryesojnë takimin e parë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Shqipëri në Ankara.

“Në këtë takim të këtij Këshilli do të shqyrtohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve Turqi-Shqipëri dhe hapat e mundshëm që synojnë thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh”, shkruhet në njoftim.

Krahas marrëdhënieve dypalëshe Rama dhe Erdogan pritet të shkëmbejnë pikëpamje për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në Ballkan, në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

Gjithashtu mësohet se në axhendën e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Shqipëri është parashikuar dhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve dypalëshe.

Gjatë diskutimeve me Shqipërinë, aleatin e NATO-s, do të shkëmbehen ide mbi marrëdhëniet dypalëshe si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në Ballkan, mbi bazën e mirëkuptimit për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, thuhet në njoftimin zyrtar.

Kjo vizitë zyrtare e Ramës në Turqi vjen pas asaj të janarit 2021, ku kryeministri shqiptar u prit me një ceremoni madhështore. Në atë vizitë, Turqia vendosi ndërtimin në pak muaj të Spitalit Memorial në Fier.

Pavarësisht trazirave të forta gjeopolitike, raporti Rama-Erdogan ka rezistuar i pacenuar deri më tani.