Pa ju, kush e di sa njerëz do të kishim humbur nga Covid-19
Nga Ankaraja, kryeministri Edi Rama ka renditur 3 aspekte kryesore, sipas tij, që populli shqiptar, Shqipëria e Kosova nuk i harrojnë dot ndaj Turqisë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Erdogan, kryeministri Rama përmendi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Turqia, dhe ndihmën që shteti turk ofroi për Shqipërinë gjatë tërmetit vdekjesprurës të 26 Nëntorit 2019 dhe sigurimin e vaksinave gjatë pandemisë Covid-19.
“Unë nuk mund të mos e bëj një sqarim që ne nuk kemi vënë bast për spitalin (e Fierit), se bastet në Turqi janë të ndaluar me ligj kurse në Shqipëri lejohen vetëm online. Ju kam thënë që bast nuk vë dot por juve keni bastin me shqiptarët që fjalën tuaj e dinë, u tha u bë. Dhe ai spital ishte besoj investimi i parë publik në botë me 3 milionë supervizorë. Edhe ju e fituat bastin me shqiptarët. Unë dua t’ju falenderoj edhe publikisht për mikëpritjen dhe dua të them që sa herë që flitet në këtë nivel për marrëdhënien me Turqinë, Shqipëria, Kosova nuk mund të harrojnë dot 3 gjëra që mbeten në kujtesën tonë kombëtare për sot dhe për nesër:
E para, falë jush Kosova u njoh si republikë e pavarur pak minuta pasi parlamenti i saj shpalli Pavarësinë.
E dyta, kur Shqipëria u godit nga një tërmet me pasoja jashtëzakonisht të rënda, ju ishit i pari që komunikuat me mua, më thatë që sa të jetë Turqia, Shqipëria nuk do jetë kurrë vetëm dhe ndërmorët iniciativë publike për fillimin e ndërtimit të 500 apartamenteve të reja.
E treta, kur Shqipëria bashkë me popujt e tjerë të rajonit tonë u ndjenë si peshku pa ujë në momentin kur bota u godit nga koronavirusi, dhe teksa shikonim nëpër ekranet e televizioneve europiane fillimin e vaksinimit në Europë, nëse nuk do ishte Turqia dhe nëse nuk do ishit ju personalisht kush e di se sa njerëz do kishin humbur jetën. Dhe këto janë 3 momente mes jetës dhe vdekjes që nuk harrohen dot kurrë”, u shpreh Rama.
Rama vlerësoi si shembull të bashkëpunimit Spitalin Memorial të Fierit që u ndërtua nga Turqia pak vite më parë, ku krahas mjekëve shqiptarë punojnë edhe mjekët turq.
“Pastaj ka shumë për të thënë. Përtej ngritjes së spitalit në kohë rekord, nuk është i vetmi rekord në këto punë publike mesa unë di. Ajo që është ende më e rëndësishme është se sot ai spital është një pikë referimi gjithmonë e më e dëshiruar për qytetarët shqiptarë në nevojë për kurim dhe është një pasqyrë e një bashkëpunimi që vazhdon me një skuadër të përbashkët mjekësh, ashtu sikundër është edhe pararoja e një transformimi të mëtejshëm të sistemit tonë të shëndetësisë sepse falë eksperiencës që është botërisht e njohur si sukses të Turiqsë në transformimin e sistemit shëndetësor dhe që tek përcjellin një grup menaxherësh, aty ka nisur modeli i autonomisë spitalore që është një tjetër reformë e sistemit tonë shëndetësor dhe që ne jemi besimplotë që do të çojë sistemin në një nivel të ri”.
Kryeministri bëri me dije se po punohet për të sjellë në Tiranë Universitetin Teknik të Stambollit.
“Mezi presim që të materializohet projekti që do të sjellë Universitetin Teknik të Stamboillit në Tiranë, një xhevahir i ekselencës turke në arsim, i mirënjohur botërisht, që do u japë mundësi studentëve që të aksesojnë një universitet të një niveli botëror”.
Rama vlerësoi bashkëpunimin me Turqinë edhe në fushën e mbrojtjes, ardhjen e turistëve turq në vendin tonë dhe investimet turke.
“Kemi bërë progres dhe jemi vullnetplotë për të bërë edhe më shumë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Jam shumë i kënaqur që vitin e shkuar numri i turistëve nga Turqia u rrit me 30%. Ne shohim një potencial shumë të madh edhe në këtë aspekt.
Investimet turke janë të mirëseardhura, kemi arritur në shifrën e 3.7 miliardë Eurove, por potenciali është për shumë më tepër. Volumin tregtar duhet ta ngremë mbi 1 miliard Euro dhe këtu do ishte mirë t’ju propozoja të vinim bast.
Faleminderit shumë edhe për lejet e drejtimit që juve i miratuat”.
Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan diskutuan edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit, luftën në Ukrainë dhe atë në Lindjen e Mesmë mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza. Sa i përket kësaj të fundit, Kryeministri Rama vlerësoi se zgjidhja përfundimtare me dy shtete duhet të ketë garantor përveç 5 vendeve arabe, edhe Turqinë.