Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka sqaruar se çështjet në hetim nga Prokuroria e Posaçme SPAK nuk do të jenë të përfshira në Amnistinë Penale që pritet të hidhet në votim gjatë seancës plenare të 22 shkurtit.
Këtë ai e ka shpjeguar gjatë një deklarate për media pas mbledhjes së Qeverisë, ku shtoi se nuk do të falen as krimet që lidhen me nderin dhe dinjitetin, apo dhunën në familje.
“Nuk ka amnisti penale për asnjë nga veprat që po hetohet në SPAK. Duhet të jem i qartë. Amnisti mbi ndjekjen penale ka mbi veprat që janë në duart e prokurorisë dhe dënohen deri në 2 vite burg, për kundërvajtjen penale. Por ka dhe përjashtime”, sqaroi Manja.
Po ashtu, ai shtoi se nuk do të amnistohen veprat që kanë të bëjnë me nderin, apo dinjitetin dhe dhunën në familje apo mbi bazë gjinore. Amnistia ka disa parime mbi të cilat bazohet.
Nga ana tjetër, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka mbyllur derën e bashkëpunimit për Amnistinë Penale, pasi ka thënë se forca e djathtë politike nuk do t’i bashkojë votat me të majtët, për ta kaluar atë të enjten e 22 shkurtit në Parlament.
Lulzim Basha u shpreh se drafti aktual parashikon lehtësira për zyrtarët e korruptuar dhe nuk përfshin qytetarët, që sipas tij, kanë qenë viktima të këtij korrupsioni.