Është gati një qytet lundrues shtëpia e 1%-shit, një shesh lojërash për multimilionerët dhe miliarderët që lundron rreth oqeaneve të botës.
Mirë se vini në “The World”, një anije ekskluzive private rezidenciale me 165 suita luksoze, 196 metra të gjatë. Çdo disa ditë, 150 banorët e saj zgjohen në një vend të ri në anën tjetër të botës. Disa nga pronarët e apartamenteve luksoze jetojnë në anije gjatë gjithë vitit, ndërsa të tjerët e vizitojnë atë vetëm herë pas here.
Kjo anije është e mbuluar me fshehtësi dhe blerja e një apartamenti në bord realizohet vetëm me ftesë. Një vlerë neto prej 10 milionë dollarësh thuhet se është e detyrueshme.
Nëse po imagjinoni festa dekadente, të mbushura me intriga dhe shampanjë – në thelb një episod detar i serialit të HBO-së “The White Lotus” – ndoshta nuk jeni larg, të paktën sipas rrëfimit të një ish-pasagjeri.
“Unë nuk po them se gjithçka që ndodhi në ‘The White Lotus’ ka ndodhur në ‘The World’, por mendoj se, në masë të madhe, krahasimi nuk është i pasaktë”, thotë ish-banori, Peter Antonucci, për “CNN Travel”.
“Ka shumë njerëz të pasur që bëjnë gjëra lozonjare, ndonjëherë gjëra të këqija, ndonjëherë gjëra skandaloze”.
Anija më e madhe private e lundrimit rezidencial në botë, “The World”, është vazhdimisht në lëvizje, duke lundruar në dete dhe oqeane dhe duke kaluar kohë në portet më ekzotike dhe më të famshme.
Njëri prej tyre ishte Peter Antonucci, i cili u bë banor i anijes private të lundrimit në fillim të vitit 2014. Antonucci, atëherë 52 vjeç dhe duke shijuar përfitimet e pensionit të parakohshëm, ishte i intriguar nga koncepti i tij. Ai dhe gruaja e tij rezervuan një udhëtim provë dhe lundruan përmes Kanalit të Panamasë. Udhëtimi u pëlqeu aq shumë, saqë shpejt u bënë banorë të përhershëm.
“Kur hyra për herë të parë në bord mendova se gjithçka ishte tepër e shtrenjtë. Nuk mund të besoja se apartamentet kushtonin kaq shumë. Nuk mund të besoja se kostot e mirëmbajtjes ishin kaq të larta dhe nuk mund ta imagjinoja pse dikush do ta bënte këtë. Por ditën e dytë pyeta: ‘Sa apartamente keni në dispozicion dhe kur mund të aplikoj?’”, kujton Antonucci për CNN.
Antonucci thotë se ishte joshur nga çdo aspekt i anijes private të lundrimit – që nga ekuipazhi, të cilin ai e quan “aseti më i madh” i anijes falë aftësisë së tyre për të parashikuar nevojat e banorëve, deri te itinerari i planifikuar me përpikëri i udhëtimit.
Përveç kësaj, Antonucci ishte veçanërisht i kënaqur që banorët e atëhershëm të anijes e pritën jashtëzakonisht ngrohtësisht, duke i ofruar pije dhe biseda të këndshme. Vetëm më vonë ai zbuloi se ishte gjithashtu pjesë e një oferte të mirë-paketuar.
Përkatësisht, përpara se një banor i ri potencial të hipë në anije, të gjithë qiramarrësit marrin një e-mail me biografinë e qiramarrësit potencial. Në këtë mënyrë, ata mund të shohin menjëherë nëse kanë diçka të përbashkët me vizitorin e ri. Antonucci e mori vesh këtë aspekt vetëm më vonë, por deri atëherë ai u magjeps plotësisht nga e gjithë aranzhimi i paketës.
Antonucci është një avokat në pension, i cili zotëron katër apartamente gjatë pesë viteve të tij në anije. Ai nuk mund ta mbajë mend shumën e saktë, por ai e bleu apartamentin e tij të parë në anije për rreth 1.6 milionë dollarë.
Ashtu si me çdo lloj tjetër prone, qiramarrësit e anijeve janë të lirë të dekorojnë apartamentet e tyre sipas dëshirës. Sot, çmimet e apartamenteve, duke filluar nga studiot me një dhomë gjumi deri te apartamentet e bollshme me tre dhoma gjumi, variojnë nga dy deri në 15 milionë dollarë.
Antonucci shiti apartamentet e tij në vitin 2019, pasi lundroi disa herë nëpër botë dhe pa gjithçka që donte të shihte. Pas kësaj, ai shkroi tre romane, veprimi i të cilave zhvillohet në një anije imagjinare të frymëzuar nga anija turistike “The World” dhe të gjitha festat sekrete dhe skandalet që ndodhën në të.
Argëtimi në bord është gjithashtu i përfshirë në paketën e shërbimit dhe përfshin leksione ekspertësh dhe aktivitete të organizuara si zhytje dhe hiking. Fëmijët janë të mirëpritur në bord, por shumë oferta u drejtohen të rriturve, të tilla si një fushë tenisi, një banjë dhe një sallë pritjeje kokteji.
“Ka shumë pije, shumë evente, të cilat mund të çojnë në skandale dhe sekrete”, thotë Antonucci.
Itinerari planifikohet dy deri në tre vjet përpara dhe në përgatitje marrin pjesë banorët dhe kapiteni i anijes. Që nga nisja e tij në 2002, “The World” ka lundruar në të gjitha detet dhe oqeanet, duke u ndalur në më shumë se 1000 porte në 120 vende të botës.
Megjithëse shumica e banorëve të anijes duan të mbeten anonimë, në atë kohë u raportua se disa njerëz të famshëm, si Arnold Schwarzenegger dhe Madonna, kishin apartamente në “The World”.
Kur u pyetën pse super të pasurit preferojnë të lundrojnë në një anije, itinerari i së cilës votohet nga një komitet në vend që të blejnë ose të marrin me qira një superjaht dhe të lundrojnë vetë botën, Antonuçi ka një përgjigje të gatshme.
“Oh, kjo është një pyetje e lehtë për t’u përgjigjur. Shumë njerëz në bord kanë jahtet e tyre. Unë kam qenë një varkëtar gjatë gjithë jetës sime. Arsyeja që ju preferoni të shkoni në “The World” është sepse nuk pse keni të merreni me punësimin e ekuipazhit, të kërkoni se ku duhet të blini karburant dhe të shkruani çeqe për çdo gjë të vogël. Mjafton të plotësoni një çek të madh çdo vit”, përfundon Antonucci.