Juventus u rikthye te fitorja pas katër ndeshjesh në kampionat teksa mposhti në “Allianz Stadium”, Frosinonen me shifrat 3-2. Dusan Vlahovic udhëhoqi edhe njëherë bardhezinjtë falë një dygolëshi duke shkuar në kuotën e 15 golave në 23 ndeshje të Serie A. Serbi, duket i vetmi që po bën mirë në radhët e torinezëve me statistikat që janë të gjitha në krahun e sulmuesit.
Sa i takon ndeshjeve në vitin 2024, Vlahovic ka shënuar nëntë gola në tetë ndeshje, me një mesatare shënimi prej një goli çdo 68 minuta.
Në këtë aspekt, Vlahovic është më mirë edhe se emrat “Big” të Europës si Erling Haaland dhe Kylian Mbappe.
Vlahovic duket tashmë një lojtar plotësisht i pjekur dhe fjalët e trajnerit Massimiliano Allegri ku theksonte se sulmuesi është rritur dhe ka fituar përqëndrimin e duhur gjatë një ndeshje, qëndrojnë më shumë se kurrë.
Koha kur Vlahovic kaloi tetë ndeshje pa shënuar në fillimin e sezonit, nga shtatori në nëntor, duket një histori e largët me 24-vjeçarin që është shndërruar tashmë në liderin e Juventusit.