Partia Socialiste duket se i ka fituar votat e ligjvënësve që i përkasin grupit të Lulzim Bashës në Parlament për Amnistinë Penale.
Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm, Enkelejd Alibeaj deklaroi se PD e mirëpret vendimin e mazhorancës për t’u tërhequr nga amendamenti që krijonte lehtësira për të dënuarit me vendim të formës së prerë nga GJKKO.
Ky qëndrim, sipas Alibeaj, reflekton mbështetjen pa kushte të PD-së ndaj punës që po bëjnë aktualisht institucionet e drejtësisë së re.
Po ashtu, PD e Bashës duket se do të japë dakordësinë që në amnisti të përfshihen të gjithë protestuesit, pavarësisht periudhës gjatë së cilës kanë protestuar.
“Për ne, gjuha e arrogancës dhe e kërcënimit, është e papranueshme, sepse kemi qenë të qartë dhe vijojmë të jemi në raport me ato që kërkojmë, duke i bërë publike. Partia Demokratike e Shqipërisë nuk kërkon pazar dhe nuk do gjë të votohen ligje tinëzisht dhe fshehurazi, por gjithçka do ta bëjë në transparencë të plotë, ku të prevalojë interesi i publikut,” shtoi Alibeaj.
Më herët gjatë ditës së sotme, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi pas një vizite në shërbimin e provës se terreni është i hapur për diskutime me opozitën dhe se PS mund të tërhiqet nga amendamenti i shtuar në projektligj.