Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ndodhet në Tiranë në kuadër të samitit për Ukrainën që po zhvillohet në vendin tonë. Ai u prit nga homologu Igli Hasani ndërsa në një konferencë të përbashkët për shtyp falenderoi Shqipërinë për mbështetjen ndaj Ukrainës.
Në fjalën e tij, Kuleba tha se Shqipëria dhe Ukraina janë dy vende europiane dhe do të bashkërendojnë ngushtë sa i takon rrugëtimit në Bashkimin Evropian. Ministri i Jashtën u ndal gjithashtu edhe tek mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, ndërsa tha se Rusia duhet të dënohet si përgjegjëse për krimet e luftës në Ukrainë.
“Më kujtohet me mirënjohje të posaçme, mandati i Shqipërisë në KS në këto dy vite dhe mënyra se si keni marrë pjesë në diskutimet për Ukrainën dhe takimi në KS ku Rama kryesoi mbledhjen në mënyrë elokuente e efikase në 2023. Sot informova ministrin për situatën në front dhe sulmet me dron e raketa të Rusisë çdo ditë duhet të mbahet përgjegjëse për krimet e luftës, do donim të intensifikonim përpjekjet tona në këtë drejtim. Vlerësojmë që Shqipëria është bashkuar në regjistrin kombëtar të dëmeve të shkaktuara nga Rusia në Ukraine. Ukraina dhe Shqipëria janë dy vende evropiane të bashkuara na vlera të përbashkëta europiane. Ramë dakord që të bashkërendojmë ngushtë sa i takon rrugëtimit tonë europian”, tha Kuleba.
Pasi shprehu mbështetjen për Shqipërinë, ministri ukrainas përshëndeti në shqip duke shprehur mirënjohjen vendin tonë:
“Faleminderit të dashur miq, rroftë Ukraina”, tha Kuleba.
Do të mbahet sot në Tiranë Samiti Ukrainë-Europa Juglindore që nis në ora 11:00. Në kuadër të këtij aktiviteti, në Tiranë janë marrë një sërë masash sigurie, ndërsa mbrëmjen e djeshme ka zbritur në Rinas presidenti i Ukrainës. Në këtë takim do të jenë të pranishëm një sërë kryetarësh shtetesh, ndërsa Mitsotakis i Greqisë dhe Erdogan do t’i bashkohen samitit online.