Në Samitin Ukrainë-Europa Juglindore që mbahet për herë të parë në Tiranë, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje vendeve pjesëmarrëse që të mos ta braktisin Ukrainën dhe të mos lejojnë fitoren e Rusisë.
Në fjalën e tij hapëse në këtë sesion, Rama tha se fitorja e Rusisë ndaj Ukrainës do të rrezikonte të ardhmen e BE-së, por dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri shqiptar theksoi se Presidenti rus Putin ka synuar të fshijë nga harta Ukrainën, por prezenca e Presidentit Zelensky në këtë samit tregon të kundërtën, se nuk ia ka dalë.
“Vladimir Putini donte ta fshinte Ukrainën nga harta për çështje ditësh por sot Ukraina është më shumë se kurrë e ankoruar në Europë. Hedh sytë rreth kësaj tryeze, shoh fytyra të njohura, miqësore. Të gjithë në këtu në Ballkan jemi bërë bashkë për të paktën 1 dekadë për t’u takuar për të folur për sfidat tona. Për të parë përpara, e ardhmja që në Shqipëri shohim është e ardhmja e përbashkët. Prania juaj këtu na bën thirrje që të pranojmë diçka me një rëndësi të jashtëzakonshme që e njëjta shpresë që na ka bërë bashkë na bashkon me popullin e Ukrainës.
Jemi këtu për mbështetjen e Ukrainës. Duam të ripërtërijmë thirrjen për Rusinë që të ndalë këtë luftë. Një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj. Mbetemi të vendosur krah Ukrainës përballë një kërcënimi mjaft real ndaj sigurisë së Europës dhe rendit global. Jemi të vetëdijshëm për kërcënimet tona. E them herë pas here, ne vetë nuk kemi kapacitetin për të ofruar nivelet e mbështetjes financiare e ushtarake për Ukrainën, kështu që më lini t’i kërkoj gjithkujt këtu t’i bashkohem me thirrjen time, mbijetesa e Ukrainës si shtet i pavarur varet nga mbështetja financiare dhe ushtarake që ata ofrojnë. Kjo mbështetje nuk duhet të jetë peng i politikave të brendshme dritëshkurtra. Ukraina nuk po lufton vetëm për veten. Mënyra për t’i dhënë fund luftës nuk është të çarmatosim viktimën, por të ndalim agresorin.
Të ndalosh Ukrainën në vend që të ndalosh Vladimir Putin e shndërron paqen në një bazë legjitimi agresioni të mëtejshëm.
Rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla po sfidohet, sepse orekset e vjetra për dominim po hapen më tej. E gjitha kjo mbjell frikë dhe ndjenjë të mprehtë paqëndrueshmërie. Nuk duhet të biem pre e kësaj. Duhet të vazhdojmë të gjithë ne në Ballkan të qëndrojmë së bashku, të forcojmë lidhjet tona. Të mos ta lëmë agresionin të shpërblehet. Nuk duhet ta lëmë Rusinë të fitojë, edhe Ukrainën të humbasë, një rezultat i tillë do të ishte i papërballueshëm. Ëndrra jonë për paqe do çohej në buzën e një të ardhmeje shumë të errët”, theksoi Rama.