Aktualitet Bujar Spahiu rizgjidhet kryetar i KMSH mes protestave për largimin e “gylenistëve”

Bujar Spahiu rizgjidhet kryetar i KMSH mes protestave për largimin e “gylenistëve”

Bujar Spahiu u rizgjodh kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Me 82 vota, Spahiu fitoi zgjedhjet kundër Eduard Shefkiut, Administrator i Myftinisë së Durrësit dhe Emirjon Vathajt, Myfti i Beratit. Ky është mandati i dytë për Spahiun, i cili u zgjodh për herë të parë më 2 mars të vitit 2019.

Dy kandidatët e tjerë, ishin administratori i myftinisë së Durrësit, Eduard Shefki dhe Emir Vathaj, myfti i Beratit të cilët morën nga 3 vota, ndërsa 4 të tjera rezultuan të pavlefshme.

Rezultati:

Bujar Spahiu – 82

Eduard Shefki – 3

Emirjon Vathaj – 3

Të pavlefshme – 4

“Unë do të ndjek rrugën, traditën, e moralit të lartë të profetit. Do të vijoj të dëgjoj me vëmendje kritikat e sinqerta që vijnë ndaj meje. Ky institucion përfaqëson të gjithë myslimanët në republikën e Shqipërisë. Allahu i ndihmon dhe ata që nëse u japin pushtet në tokë, kryejnë faljen dhe pengojnë atë që është e mbrapsht. Do të ndjek me besnikëri, siç kam bërë deri më sot. Zoti urdhëron që të jemi të drejtë dhe të sillemi mirë me të gjithë, pavarësisht racës dhe ngjyrësh. Allahu është vlerësuesi më i drejtë. Unë kam qenë i hapur ndaj çdo kritike dhe ju garantoj që do të jem në mes jush deri në atë masë sa gjithçka të zgjidhet. Institucioni që unë drejtoj do të ndjek të gjitha rrugët ligjore ndaj kujdo që nxit urrejtje mes motrave dhe vëllezërve myslimanë“, u shpreh Spahiu pas zgjedhjes në krye të Komunitetit Mysliman.

Ndërkohë, para Medresesë së Tiranës, disa dhjetëra besimtarë kanë zhvilluar një tubim, për të kundërshtuar manipulimin e zgjedhjeve që sipas tyre po ndodh në KMSH dhe uzurpimin që po i bëhet institucionit nga ndjekësit e Gylenit.