Policia e Tiranës ka vënë në pranga 44-vjeçarin, Liam Osmani. Sipas policisë, ai është ndaluar në shtëpinë e ‘Big Brother Albania Vip 3’.
Ndalimi i Osmanit u bë nga forcat operacionale të policisë së Tiranës, për shkak se në vitin 2022 është dënuar me 2 vite e 6 muaj burg për veprën penale të mashtrimit.
Liam Osmani, rezulton se në 2019 nëpërmjet mashtrimit ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani, për të cilat nuk ka kryer pagesat përkatëse.
44-vjeçari rezulton se ka hyrë në Shqipëri 10 ditë më parë dhe sistemi në Rinas nuk e ka pikasur, duke bërë që ai të kalojë pa u ndaluar nga autoritetet. Pasi policia e ka parë në reality show-n “Big Brother” ka shkuar dhe ka ekzekutuar urdhër ndalimin për dënimin me 2 vjet e 6 muaj burg për mashtrim biletash në vlerë rreth 6 mijë euro.
Para hetuesve, pas ekzekutimit të urdhër ndalimit, Liam Osmani ka pretenduar se ka qenë në dijeni të një denoncimi në emër të tij për mashtrim, por jo se ishte dënuar.