Dy dekada pas anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe NATO-s, vendet e Europës Lindore kanë frikë se nuk do të merren në konsideratë kandidaturat për kreun e ri të aleancës veri-atlantike.
Emërimi i mundshëm i kryeministrit holandez Mark Rutte si kreu i ri i NATO-s, këtë verë, mund të ketë marrë miratimin e Uashingtonit, Londrës, Parisit dhe Berlinit, duke i mënjanuar kandidaturat nga vendet e Europës Lindore.
“Çfarë besueshmërie morale ka ky djalë?”, tha ish-presidenti estonez Toomas Hendrik Ilves, duke vënë në dukje dështimin e Holandës për të përmbushur angazhimin e saj të NATO-s për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen gjatë 13 viteve të Rutte si kryeministër.
Pretendentë të tjerë për pozicionin përfshinin presidentin rumun, Klaus Iohannis, qeveria e të cilit njoftoi NATO-n për kandidaturën e tij të mundshme në shkurt dhe kryeministrja estoneze Kaja Kallas, e cila nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë, por ka shprehur interes vitin e kaluar.
“A jemi të barabartë apo nuk jemi të barabartë?, deklaroi Kallas për Politico, për sa i përket mënyrës së përzgjedhjes së kreut të ri të NATO-s.
Vendet e Europës Lindore kanë mbajtur disa nga postet kryesore të BE-së dhe NATO-s që kur pjesa më e madhe e tyre iu bashkuan dy institucioneve në vitin 2004.
Në Estoni, Lituani dhe Letoni, zyrtarë të lartë besojnë se fuqitë e mëdha në Europën Perëndimore ende kanë një paragjykim të padrejtë kundër tyre, veçanërisht duke pasur parasysh pozicionet e tyre të ashpra ndaj Rusisë pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.
Përveç emërimit të NATO-s, që pritet të bëhet nga samiti i liderëve në Uashington këtë verë, pozicionet kryesore të BE-së do të rishpërndahen këtë vit pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në qershor.