Policia e Tiranës ka vënë në pranga një grup grabitësish. Në kuadër të operacionit “River” janë arrestuar tre autorët e dyshuar të vjedhjes së një kasaforte të një biznesi në zonën e Saukut, pak ditë më parë. Ndërkohë, është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Sipas policisë, të tre të arrestuarit janë nga qyteti i Elbasanit. Ata, pasi kanë vjedhur kasafortën me një shumë të konsiderueshme monetare, e kanë hedhur atë në ujërat e lumit Shkumbin.
“Tiranë/Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, të angazhuara maksimalisht për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Finalizohet operacioni policor i koduar “River”. Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, vjedhja e kasafortës së një biznesi në Sauk, më datë 01.03.2024.
Identifikohen dhe vihen në pranga pas një ndjekje intensive nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, tre autorët e dyshuar. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Sekuestrohen kasaforta e vjedhur, e cila u gjet në lumin Shkumbin, 5 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e vjedhur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas kallëzimit të depozituar nga një shtetas, se shtetas të paidentifikuar i kishin vjedhur kasafortën me një shumë parash, në biznesin e tij, në Sauk, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, menjëherë kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “River”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim me DVP Elbasan, u bë arrestimi i shtetasve:
– B. S., 53 vjeç, E. K., 37 vjeç dhe A. Ç., 40 vjeç, të tre banues në Elbasan.
Gjithashtu, po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e shtetasit E. Gj., 27 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 01.03.2024, kanë vjedhur në një biznes në Sauk, një kasafortë me 4000€ dhe 100 000 lekë, dhe më pas, kasafortën e kanë hedhur në lumin Shkumbin, në Elbasan.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kasaforta e vjedhur, e cila u gjet në lumin Shkumbin, 5 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e vjedhur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.