Gazetarja e kronikës, Anila Hoxha ka zbuluar rastin e dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët dhunonin bashkëshortet e tyre. Në fjalën e saj, e ftuar në emisionin “Zona Zero”, gazetarja Hoxha nuk i ka përmendur me emër ligjvënësit shqiptarë që ishin dhunues, por tregoi qasjen e tyre me drejtësinë.
Teksa përballeshin me ligjin, përballë gjyqtarit Adriatik Boxhi, ajo tregoi se me të hyrë në sallën e gjyqit, deputetët nuk e fshihnin statusin e tyre. E madje, kërkonin trajtim të veçantë vetëm për faktin që ishin deputetë.
Megjithatë, të dyja çështjet janë pushuar pasi bashkëshortet e tyre i kanë tërhequr paditë.
“Gjyqtari Adriatik Boxhi që merret me urdhrat e mbrojtjes më tregoi në Podcast në Top Albania se “më kanë ardhur dy deputetë”. “Më ka ardhur në sallën e gjykatës gruaja që kishte denoncuar dhunuesin dhe ai erdhi pa pikën e turpit erdhi më tha unë jam deputet i parlamentit. Ai po përpiqej të përdorte si pasaportë këtë pozitën e tij, pra unë jam dikushi. Gjyqtari deklaroi dhe vazhdoi më tej arsyetimin “çfarëdo që të jesh këtu nuk ke imunitet, ke kryer dhunë në familje”. Historiku ishte ky, deputetët nuk ishin larguar nga shtëpia, më pas u interesova për kë bëhej fjalë. Të dyja bashkëshortet më pas ishin tërhequr nga kërkesa për urdhërmbrojtje dhe kërkesa ishte pushuar. Kjo është një fatkeqësi shumë e madhe. Ajo që vërej unë në pjesën më të madhe në gjykatat civile, në 80% të rasteve gratë për shkak të presionit ekonomik, pastaj të presionit të opinionit familjar etj, ato tërhiqen”, tha gazetarja Anila Hoxha.