Sport Asllani pushton faqet e para të shtypit italian, Pavard feston me shqiptarin...

Asllani pushton faqet e para të shtypit italian, Pavard feston me shqiptarin me shqiponjë

Ekzaltimi i Kristjan Asllanit pas golit të parë me Interin në ndeshjen ndaj Xhenoas ka qenë imazhi kryesor i shtypit sportiv në Itali.

Mediat e shkruara dhe ato online ia kanë kushtuar faqen e parë Interit, të përfaqësuar nga mesfushori shqiptar.

Asllani ka bërë një tjetër ndeshje të mirë dhe Interi ka fituar, ndërsa goli ishte ‘qershia mbi tortë’ për futbollistin e Kombëtares. Tashmë askush nuk ka më dyshime: lojtari shqiptar është ingranuar plotësisht në mekanizmin zikaltër dhe po rritet nga java në javë.

Elozhet për Asllanin kanë qenë të shumta, nga trajneri Inzaghi fillimisht, shokët e ekipi, specialistët e futbollit në Itali dhe nga shtypi.

“E përgëzova Asllanin për mënyrën se si ka punuar; nga jashtë nuk mund ta dallosh gjithmonë, por edhe vitin e shkuar Kristjani ka punuar shumë. Ai përpiqet të mësojë në çdo seancë stërvitore dhe këtë javë luajti tre ndeshje të shkëlqyera, ashtu si edhe i gjithë ekipi. Të gjithë po bëjnë shumë mirë!”, tha Inzaghi.

Dikush ka komentuar në shqip në profilin e mesfushorit, siç ishte rasti i sulmuesit Thuram, që shkruante: “Sa lojtar” (në sensin çfarë lojtari).

Dikush tjetër ka mësuar të festojë edhe më shqiponjë.

Mbrojtësi francez, Benjamin Pavard, pas golit ka shkuar tek Asllani duke bërë simbolin e shqiponjës dykrenare me duar. Më pas të dy janë përqafuar. Simbolin e shqiponjës Pavard e ka mësuar më parë nga Asllani, të dy e kanë bërë në stërvitjen e Interit.