Politika Pas dënimit të Belerit, Greqia do bllokojë rrugën e Shqipërisë drejt BE?...

Pas dënimit të Belerit, Greqia do bllokojë rrugën e Shqipërisë drejt BE? Si përgjigjet Hasani

Shqipëria është e palëkundur sa i përket çështjes Beleri. Qeveria refuzon të komentojë vendimet e gjykatave, duke thënë se mbështet punën e Reformës në Drejtësi.

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, në përfundim të mbledhjes së qeverisë, tha se Shqipëria do të vijojë që të bëjë detyrat e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian, duke mos komentuar dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

“Shqipëria do të respektojë maksimalisht vendimet e gjykatave, do mbështes punën për reformën në Drejtësi dhe do të vazhdojë të kryejë detyrat që kemi për rrugën drejt BE, çdo gjë tjetër është koment i panevojshëm”, tha Hasani.

Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme dënoi me dy vite burg Alfred Belerin për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim.

Pas vendimit reagoi Ministria e Jashtme e Greqisë, sipas së cilës, dënimi i Belerit krijon shqetësim për objektivitetin e procesit gjyqësor ndaj tij.

“Dënimi i sotëm nga një gjykatë shqiptare ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, shton shqetësimet për objektivitetin e procesit. Dhe kjo për shkak të zbehjes së prezumimit të pafajësisë për shkak të deklaratave të jashtme që mbrojnë dënimin dhe për shkak se dënimi përfundimtar është dukshëm joproporcional në raport me veprën penale të pretenduar”, tha ministria greke.

Beleri i fitoi zgjedhjet për Bashkinë e Himarës, por nuk u betua për shkak se ndodhet në paraburgim.

Kjo çështje ka shkaktuar edhe tensione diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë, e cila ka vendosur veton e saj për çeljen e kapitujve për anëtarësim në BE.