Ish-ministri Ilir Beqaj refuzon të paguajë 120 mijë lekë, taksë, për marrjen e akteve të dosjes hetimore të tij nga SPAK.
Përmes një kërkese penale ish-ministri i kërkon gjykatës të detyrojë SPAK-un, t’i japë aktet e dosjes pa paguar shpenzimet procedurale paraprakisht.
Shuma që i është kërkuar Beqajt, si kosto printimi, është 120 mijë lekë të rinj, bazuar tarifave të institucionit.
Seanca e sotme, ku Beqaj nuk ishte prezent, por u përfaqësua me avokatë, u shty për një datë tjetër për t’i dhënë kohë kërkuesit të paraqesë provat në formën e kërkuar nga ligji.
Gjatë seancës, avokati i tij ka pretenduar se duke qenë person në hetim nuk duhet të paguajë për të marrë aktet e dosjes dhe se shpenzimet procedurale mund të paguhen vetëm në fund të procesit.