Presidenti Joe Biden deklaroi se demokracia është nën kërcënim brenda dhe jashtë vendit dhe e quajti të papranueshëm qëndrimin e ish-presidentit Donald Trump ndaj NATO-s të enjten në një fjalim për gjendjen e vendit, që kishte për qëllim të theksonte dallimet mes vizionit të tij dhe atij të rivalit të tij republikan në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Presidenti Biden, në seancën e përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, e hapi fjalimin e tij me një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj Trump për komentet, në të cilat ai dukej se ftonte presidentin rus Vladimir Putin të pushtonte vendet e tjera të NATO-s, që nuk shpenzojnë mjaftueshëm në fushën e mbrojtjes.
“Tani paraardhësi im, një ish-President republikan, i thotë Putinit, po e citojë, ‘Bëj çfarë të duash’”, tha Presidenti Biden. “Unë mendoj se kjo është e rrezikshme dhe e papranueshme.”
Presidenti Biden i bëri thirrje Kongresit që të miratojë fonde shtesë për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë. Ai kishte gjithashtu një mesazh për Putinin: “Mesazhi im për presidentin Putin, të cilin e njoh për një kohë të gjatë, është i thjeshtë. Ne nuk do të largohemi. Ne nuk do të përkulemi. Unë nuk do të përkulem.”
“Putini i Rusisë është në marshim, duke sulmuar Ukrainën dhe duke mbjellë kaos në të gjithë Evropën dhe më gjerë. Nëse dikush në këtë dhomë mendon se Putini do të ndalet në Ukrainë, unë ju siguroj se ai nuk do të ndalet. Por Ukraina mund ta ndalë Putinin nëse ne e mbështesim Ukrainën me armët që i nevojiten për t’u mbrojtur. Kjo është gjithçka që kërkon Ukraina. Ata nuk po kërkojnë ushtarë amerikanë. Në fakt, nuk ka ushtarë amerikanë në luftë në Ukrainë. Por tani ndihma për Ukrainën po bllokohet nga ata që duan që ne të tërhiqemi nga roli udhëheqës në botëror”, tha Presidenti Biden.
“Sot, ne e kemi bërë NATO-n më të fortë se kurrë. Ne i uruam mirëseardhjen Finlandës në aleancë vitin e kaluar, dhe pikërisht sot në mëngjes, Suedia u anëtarësua në aleancë zyrtarisht dhe Kryeministri i tyre (Ulf Kristersson) është këtu sonte. Ngrihu. Mirë se vini. Mirë se erdhe.”
Të ftuarit e bashkëshortes së Presidentit për fjalimin përfshinin edhe Kryeministrin suedez Ulf Kristersson, i cili ndodhet në Uashington ndërsa Suedia zyrtarisht u bë anëtare e NATO-s të enjten, dy vjet pas fillimit të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës.
Lidhur me gjendjen e rëndë humanitare në Gazë, Presidenti Biden i beri thirrje Izraelit që të mos e konsiderojë çështje dytësore dërgimin e ndihmave për civilët e bllokuar nga luftimet mes Hamasit dhe ushtrisë izraelite.
“Mbrojtja dhe shpëtimi i civilëve të pafajshëm duhet të jetë një përparësi. Ndërsa shikojmë nga e ardhmja, e vetmja zgjidhje reale për situatën është zgjidhja me dy shtete”, tha ai.
Presidenti Joe Biden theksoi se i ka kërkuar ushtrisë amerikane të ndërtojë një port të përkohshëm në brigjet e Rripit të Gazës. Kjo është pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për krijimin e një rrugë detare të dërgimit të ushqimit dhe ndihmave të tjera, ndërsa zyrtarë të OKB-së dhe Shteteve të Bashkuara paralajmërojnë se civilët palestinezë, të bllokuar nga lufta Izrael-Hamas, së shpejti mund të vuajnë nga uria.
“Kam udhëzuar ushtrinë amerikane të udhëheqë një mision emergjent për të krijuar një port të përkohshme në Mesdhe në bregdetin e Gazës, ku mund të ankorohen anije të mëdha që transportojnë ushqim, ujë dhe ilaçe. Asnjë çizme (ushtarë) amerikane nuk do të jetë në tokë. Një port i përkohshëm do të mundësonte një rritje masive të sasisë së ndihmës humanitare që hyn në Gaza çdo ditë”, tha zoti Biden.
Presidenti Biden theksoi dallimet mes tij dhe Trump, i cili pritet të jetë rivali i tij republikan në zgjedhjet e 5 nëntorit, mbi çështjet si demokracia, të drejtat e abortit dhe ekonomia.
“Në vendimin e saj për të përmbysur rastin Roe kundër Wade, shumica e anëtarëve të Gjykatës së Lartë shkruajtën “Gratë nuk janë pa pushtet elektoral apo politik”. Kjo nuk është një shaka. Është e qartë se ata që mburren për përmbysjen e rastit, që e bëri të ligjshëm abortin në nivel federal, nuk kanë asnjë ide për fuqinë e grave në Amerikë. Por ata mësuan se e drejta riprodhuese e grave fitoi kur u hodh në votim në 2022, 2023, dhe do të fitojë sërish në 2024. Nëse amerikanët zgjedhin një Kongres që mbështet të drejtën për abort, ju premtoj se Roe kundër Wade do të bëhet sërish ligj i gjithë vendit”, tha Presidenti Biden.
Ai foli edhe për arritjet ekonomike të vendit gjatë mandatit të tij.
“Erdha në detyrë i vendosur për të kapërcyer një nga periudhat më të vështira në historinë e vendit tonë. Dhe ne e arritëm këtë. Nuk është lajm i ditës, por në mijëra qytete dhe qyteza populli amerikan po shënon rimëkëmbjen më të madhe në histori. Rikthimi i Amerikës është ndërtimi i një të ardhmeje të mundësive amerikane, ndërtimi i një ekonomie nga poshtë lart – jo nga lart poshtë, duke investuar në të gjithë Amerikën – në të gjithë amerikanët – për t’u siguruar që të gjithë të kenë mundësi të barabarta dhe askush të mos ngelet mbrapa”, tha Biden.
Demokratët e shohin fjalimin si një shans të profilit të lartë për Presidentin Biden për të theksuar para amerikanëve synimet e tij për një mandat të dytë. Fjalimet vjetore të presidentëve amerikanë për gjendjen e vendit transmetohen drejtpërdrejt në televizionet amerikane dhe ndiqen nga miliona njerëz.
Përgjigja e Partisë Republikane
Senatorja republikane nga shteti i Alabamës, Katie Britt i mbajti një fjalim të shkurtër pas atij të Presidentit Biden për gjendjen e vendit, duke i kritikuar demokratët dhe Shtëpinë e Bardhë për krizën e emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë, inflacionin dhe shpenzimet e larta qeveritare. Ajo e kritikoi politikën e jashtme të Presidentit Biden, përfshirë tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani në vitin 2021 dhe bisedimet me Iranin për një marrëveshje të re bërthamore. Megjithatë, senatorja Britt, në reagimin e saj ndaj fjalimit të Presidentit Biden, nuk e përmendi agresionin e Rusisë në Ukrainë.