Kryesore Katër kryebashkiakë të Berishës, në takimin me Ramën në Shkodër

Katër kryebashkiakë të Berishës, në takimin me Ramën në Shkodër

Disa prej kryebashkiakëve të opozitës iu janë bashkuar mbledhjes së qeverisë e cila zhvillohet ditën e sotme (9 mars) në Shkodër.

Në takim mësohet se kanë shkuar, kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hilë Curri, ai i Pukës, Rrok Doda, kreu i bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi dhe i Kavajës, Fisnik Qosja.

Katër kryebashkiakët e opozitës kanë dalë nga listat e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Hilë Curri, Rrok Doda, Albert Mëlyshi dhe Fisnik Qosja i janë përgjigjur pozitivisht ftesës dhe kanë vendosur që të marrin pjesë në takimin e qeverisë në Shkodër, ku janë mbledhur kabineti qeveritar, si edhe drejtuesit politikë e krerët socialistë të bashkive.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku në një postim në Facebook njoftoi se në takim do të merrnin pjesë të 61 kryetarët e bashkive.

“Nisim takimin sot me anëtarët e qeverisë dhe 61 kryetarët e bashkive për sfidat dhe angazhimet e pushtetit vendor për Shqipërinë 2030”, shkroi ministri Mazniku.