Kryesore GJKKO rrëzon kërkesën e Berishës e Malltezit për heqjen e masës “arrest...

GJKKO rrëzon kërkesën e Berishës e Malltezit për heqjen e masës “arrest në shtëpi”.

GJKKO ka rrëzuar kërkesat e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për revokim të masave të sigurisë. Këta të fundit akuzohen për korrupsion sa i takon aferës për ish-klubin sportiv “Partizani”.

Siç thuhet në njoftimin e Gjykatës, për Berishën dhe Malltezin do vijojë të zbatohet masa e “arrestit në shtëpi”, pasi kërkesat janë të pabazuara në ligj dhe prova.

“Gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të hetuarit Sali Berisha, me objekt “Kërkohet revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr.112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vazhduar zbatimi me Vendimin nr.117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj kërkuesit lënë në fuqi me vendimin nr.56, date 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndryshuar me vendimin nr.520, date 30.12.2023, lënë në fuqi nga  Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si të pabazuar në ligj dhe në prova”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ndërkohë avokati i Berishës pati një prononcim për gazetarët pas mbarimit të seancës gjyqësore.

Genc Gjokutaj se prokurorët nuk u janë përgjigjur asnjë pyetjeve, duke e cilësuar si “Komisariat politik”.

“Sot edhe nga forma edhe nga përmbajtja ka qenë hapur në kundërshtim me ligjin. Prokurorët duhet t’u përgjigjeshin pyetjeve se ku qëndron korrupsioni i zotit Berisha. Prokurori, besnikërisht tha se nuk u jap asnjë shpjegim. Këta janë një komisariat politik. Nuk e di se si kjo Gjykatë ka dhënë masën e arrestit nuk bëri një pyetje”, tha midis të tjerash avokati mbrojtës, Genc Gjokutaj.

Ai u pyet edhe për çështjen e “21 Janarit”, e cila sipas Gjykatës së Lartë do të hetohet nga SPAK.

Pyetje: Gjykata e Lartë pranoi rekursin e bërë nga Rajmonda Nika, e veja e Aleks Nikës i vrarë më 21 Janar 2011. Një nga të kallëzuarit është ish-kryeministri Sali Berisha. Në këndvështrimin tuaj, a e rëndon kjo pozitën penale të zotit Berisha për sa kohë ai ndodhet në “arrest shtëpie” i akuzuar për veprën penale të korrupsionit? Tashmë një tjetër hesap i hapur me drejtësinë shqiptare.

Genc Gjokutaj: Shiko, familja Nika duke i shprehur ngushëllimet ka të gjithë të drejtën e Zotit të kërkojë të drejtën e saj. Por, kjo e drejtë e saj qëndron në këto parametra derisa nuk instrumentalizohet nga Edi Rama dhe politika. Ky është problemi që kemi ne. Për dijeninë tuaj, nëse e mbani mend ministri aktual i Drejtësisë ka bërë një kallëzim në SPAK dhe SPAK ka vendosur moskompetencë. Që do të thotë ne nuk kemi evidentuar fajësi për personat që i përfshin neni 75, që do të thotë subjektet ishin zoti Basha dhe Berisha, se për ato është bërë ai kallëzim. Tani Gjykata e Lartë ia kthen këtij SPAK-u që ka vendosur moskompetencë për të njëjtën gjë. Dhe ai vendim i Gjykatës së Strasburgut nuk është detyrues për SPAK-un.