I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ka pasur një bisedë të mirë dhe të hapur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Pas takimit të mbajtur në Qeverinë e Kosovës, emisari amerikan deklaroi për mediat më 14 Mars se kryeministri kosovar i ka premtuar se do të shqyrtojë disa prej propozimeve të tij që kanë të bëjnë me çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb.
Escobar nisi vizitën e tij në Kosovë një ditë më herët, kur u takua me presidenten Vjosa Osmani, me krerët e partive opozitare dhe me përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë.
Pas takimit me Osmanin, emisari amerikan u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.
Ndërkaq, pas takimit të tyre me emisarin amerikan, disa politikanë serbë u shprehën të “inkurajuar” me qasjen e SHBA-së ndaj disa vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës dhe thanë se kanë marrë garanci nga ai për zgjidhje “në favor të komunitetit serb”.
Para nisjes së vizitës në Kosovë, Escobar deklaroi se zbatimi i vendimit i autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb, ishte “jokompetent” dhe “katastrofik”.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që ka hyrë në fuqi më 1 Shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë përmes një sistemi paralel rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Vendimi për rregulloren e BQK-së është kritikuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, që kanë argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te popullata serbe që jeton në Kosovë.
Uashingtoni ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërkaq BE-ja ka kërkuar që për këtë çështje të gjendet një zgjidhje në kuadër të dialogut në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian./REL