Një prokuror i SPAK-ut është kërcënuar nga një “bos” i krimit të organizuar, i cili aktualisht është strehuar në Dubai.
Kërcënimin e prokurorit e konfirmoi vetë kreu i Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar, Altin Dumani.
“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar, jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi, sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyrë”, tha Dumani që nuk dha detaje të mëtejshme.
Por këtë fakti e pati zbuluar edhe gazetarja Anila Hoxha para disa ditësh në emisionin “Top Story”, duke thënë se personi që kërcënoi prokurorin jeton tashmë në Dubai.
“Jam duke ndjekur historinë e kërcënimit të një prokurori nga një prej “djemve” të Dubait, të këtyre që konsiderohen…Ka gjetur mënyra tangente për të dërguar mesazh tek prokurori. Çështja ka alarmuar institucionet ligjzbatuese në Shqipëri. Çështja ka alarmuar institucionet dhe po hetohet me seriozitet, por personi do të vazhdojë që të jetë i paprekshëm. Fakt është që është e pamundur sepse nuk ka një marrëveshje për kapjen e tyre. Praktika është afër zeros. Duhet shpresuar që ata të bëjnë një gabim të pamatur që të shkojnë në një shtet tjetër dhe të arrestohen sepse nuk ekziston një ligj, nuk sillen në Shqipëri. Edhe ai që u soll ka shprehur dakordësinë”, tha Anila Hoxha dy ditë më parë.