Marrëveshja e arritur mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike të Rithemelimit për kthimin e normalitetit në Kuvend është përshëndetur nga ndërkombëtarët, të cilët prej muajsh kishin nxitur një gjë të tillë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në një deklaratë të shpërndarë në mediat sociale, inkurajon “deputetët që të vazhdojnë të tregojnë përkushtim ndaj demokracisë në të mirë të popullit shqiptar”.
Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në një postim në mediat sociale teksa përshëndet marrëveshjen, shkruan se “vlerëson lidershipin dhe përgjegjësinë e treguar nga palët për arritjen e marrëveshjes”, pasi sipas tij delegacioni i BE-së ka “theksuar vazhdimisht se një Kuvendi funksional është çelësi për procesin e integrimit”.
Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi ka folur për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku u vendos ngritja e dy komisioneve hetimore, për nxjerrjen e të dhënave nga sistemi TIMS dhe Koncesionet në Shëndetësi.
Sipas Bardhit, për grupin e PD, normalizimi i marrëdhënieve në Kuvend ka qenë kërkesë vazhdueshme bashkë më kërkesat për respektimin e të drejtave të opozitës.
“Ramë e dakord në parim për të normalizuar veprimtarinë tonë në Kuvend dhe komisionet. Sot konferencën e kryetarëve ka marrë vendim qe konkretizojnë atë dakortësi të mbledhjes së shkruar, është rënë dakord miratimi i Komisionet Hetimor për kontrata ne shëndetësi, është rënë dakord të ngrihet Komisioni Hetimor në lidhje me të dhënat e Sistemit TIMS.
Është ngarkuar komisioni i ligjeve për formimin e një mekanizim konsensual mes mazhorancës dhe opozitës në barazi të plotë, sa u takon ligjeve me shumicë të cilësuar, që kërkojnë gjithëpërfshirës dhe qe janë të rëndësishme në kuadër të të anëtarësimit në BE.
Për grupin e PD, normalizimi i marrëdhënieve në Kuvend ka qenë kërkesë vazhdueshme bashkë më kërkesat për respektimin e të drejtave të opozitës. Këto kanë qenë shqetësimet tona. Sot po provojmë më këtë dakortësi që kemi bërë atë që kemi thënë gjatë këtyre 5 muajve”, u shpreh Bardhi.